Për shkak të gjendjes së vështirë rreth buxhetit dhe mjeteve të pasiguruara për projekte dhe detyrime në arsim, mësimdhënësit nuk do të kenë rritje të pagave në shtator për 12 për qind, siç kërkon Sindikata, por rritje do të ketë në mars.
“Po luftoj me ngulm dhe do të luftoj për mësimdhënësit dhe do të vazhdoj dhe do të insistoj që të realizohet ajo që u kemi premtuar. Ua kemi premtuar në vitin e parë – për këtë Qeveri viti i parë është nga qershori deri në qershorin e ardhshëm. Në vitin e parë sigurisht që ata do të kenë rritje. Në muajin mars pra do të kenë rritje të rrogave aq sa lejon Buxheti, aq do të marrin. Gjatë këtij viti, nëse ka mundësi edhe një rritje që të jenë të kënaqur dhe të motivuar”, deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në SHF “Luben Lape” në komunën e Aerodromit, Janevska theksoi se si mësimdhënëse i di saktësisht, siç tha “problemet dhe me çfarë sfida dhe presione përballen mësimdhënësit”, por beson se do të kenë mirëkuptim për mundësitë reale.
“Po të kisha mundësi, që nesër do ua rrisja rrogën, jo për 12 për qind që kërkon sindikata. Sipas mundësisë 30, 40, 50 për qind. Dhe nuk ka dilemë se ata duhet të kenë paga më të larta, po them vetëm mundësitë reale, them atë që kemi trashëguar nga qeveria e kaluar. Nëse ajo ministre apo ndonjë ministër tjetër do ta kishte planifikuar drejtë buxhetin, nuk do të kishim probleme. Përballemi me mjete të mëdha për tekste, fonde të mëdha për standardet e nxënësve që nuk janë paguar, fonde të mëdha për standardet e studentëve që nuk janë paguar, probleme me transportin. E shihni që po rinovohen klasa, po rinovohen ambiente sanitare. Kjo është gjithçka që është e nevojshme. Jo se pagat e mësimdhënësve nuk janë të nevojshme, janë edhe ato të rëndësishme, por jam e bindur se do të kenë mirëkuptim”, ka thënë Janevska.