Pavarësisht se Kushtetuta parashikon trajtim të barabartë për nxënësit e shkollave të mesme publike dhe private në vend, situata aktuale në praktikë nuk e tregon këtë. Nxënësit e shkollave të mesme nga shkollat private duhet të paguajnë biletë për udhëtim.
Ata kërkojnë që t’u mundësohet transport pa pagesë në shkollat private, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Në qershor të vitit 2023, ish-kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Luka Paviqeviq, paraqiti në Gjykatën Kushtetuese iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesëve të Ligjit për Arsimin e Mesëm. Në të njëjtin vit në dhjetor, Unioni ia arriti qëllimit, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese se trajtimi i ndryshëm i nxënësve të shkollave të mesme në lidhje me fitimin e të drejtës për të përdorur transportin falas është në kundërshtim me nenin 9 paragrafi 2 dhe nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetuta. Me këtë kemi pritur që institucionet do t’u mundësojnë nxënësve të ushtrojnë të drejtën e tyre për transport falas”, thonë nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.
Dy muaj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me fillimin e vitit të ri shkollor, Ndërmarrja Publike Transportuese bëri të ditur se të gjithë nxënësit e shkollave të mesme do të marrin bileta falas, përveç atyre të shkollave private.
Edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës heq dorë nga përgjegjësia dhe thotë se nga buxheti i shtetit ndahen mjete vetëm për arsimin publik.
Ndërkohë që institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vendit nuk respektohet. Prandaj Unioni i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Bashkisë së Shkupit dhe NTP-së që të respektojnë Kushtetutën dhe ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.