Site icon Telegrafi

Maqedoni, nuk dihet sa banorë ka, e aq më tepër të ketë listë të sigurtë votuesish

Se cilat ishin shkaqet për dështimin e popullsisë ende mbeten enigmë. Asgjë nuk zbuluan edhe të a.q. “bombat e opozitës” edhe pse një gjë e tillë ishte paralajmëruar.

Shikuar nga këndvështrimi i sotëm, kur përballemi me krizën politike dhe me problemin “zgjedhje fer dhe demokratike të pranuara nga gjithë palët”, parashtrohet pyetja se sa mund ta ndihmonte regjistrimi i rregullt procesin e zgjedhjeve duke mënjanuar dilemat për numrin e saktë të Listës së zgjedhësve.

Në deklaratën e tij për Portalb akademiku Abdylmenaf Bexheti ka sqaruar përvojën e tij si i emëruar për t’i prirë procesit të regjistrimit, i cili ishte jetëshkurtër. Ai zbulon edhe prapavijat e mundshme të këtij procesi. Ndërkaq, sipas analistit politik regjistrimi i popullsisë është “kuti e Pandorës” që në vete ngërthen shumë sekrete.

Bexheti: Ja pse e bllokuam procesin e regjistrimit

“Kadareja i madhe ka shkruar ,,Rra kjo mortë dhe u pame,,-ky do ishte titulli me adekuat ekspost për ketë mision të parandaluar! Nevoja për regjistrimi i popullsisë shkon shumë përtej pastrimit të listës zgjedhore-duke filluar nga planifikimet makroekonomike, sociale dhe zhvillimore. Ne këto rrethana padyshim që një regjistrim objektiv dhe pa ,,hile,, do ishte zgjidhja e plotë e kontestit dhe katrahurës së listës zgjedhore.

Në kohën kur u bllokua procesi bile edhe ne që ishim aktorë të Komisionit shtetëror të regjistrimit nuk e kishim brengën më madhore të listës zgjedhore, por manipulime kalkulative të popullsisë në përmasa etnike-gjithnjë duke aluduar në rrezikimin e cenzusit 20%, posaçërisht në kryeqytet (Shkup) dhe në disa qytete dhe komuna ku ne jemi pak mbi 20-shin!

Partitë e shumicës qeverisëse sigurisht që brengë po aq të madhe kanë patur manipulimet me listën zgjedhore sepse vetëm ata e kanë ditur deri ku ka shkuar devalvimi i bayes prej ku grabitet legjitimiteti. Prandaj edhe ishin gjithaq rigidë, sensitivë dhe këmbëngulës, ose vetëm sipas tyre ose ndryshe s’bëhet.

Edhe nga kjo distancë kohore (pas pesë vitesh) duket se ne kemi patur qëndrim shumë të drejt që e bllokuam legalizimin e falsifikimit për të cilin më vonë folën edhe liderët kryesor të qeverisjes. Kemi qenë në të drejte dhe Zoti na ka ruajtur nga kompromitimi që mund të ndodhë po ta kishim dëgjuar BDI-në. Faqja e zezë do ishte për ne sikur të toleronim një hile të atillë. Bile edhe ata që e provuan pas nesh (pasi që mua me zëvendësuan me militant partiak i cili s’do mund as sot me asgjë të arsyetoj ,,pasionin,, për ta kryer këtë mision).

Atëherë e kam nënvizuar, por edhe sot e ripërsëris, me një Ligje si ky që paraqet amalgame politik të qeverisjes asnjëherë s’do mund të realizohet regjistrimi. Nijeti ka qenë përplot hile”, është rrëfyer akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Demiri: Regjistrimi i popullsisë do ta ndryshojë pilitikbërjen në Maqedoni

“Regjistrimi i popullsisë është “kutia e Pandorës”, e cila do ta ndryshojë politikbërjen në Maqedoni. Procesi në vete ngërthen shume sekrete që dekada me radhë Maqedonia i mbron dhe i fshehë. Problemi i listave zgjedhore dhe orvatjet e KSHZ të krijojë lista zgjedhore të pastra është gati e pamundur. Pikërisht, sepse nuk ka regjistrim të popullsisë. Gjitha metodat që do t’i aprovojë KSHZ do të japin rezultate gjysmake, jo të sakta, në mungesë të këtij regjistrimi. Mendoj se regjistrimi do të imponohet se tashmë është e qartë se atë që e bën tash KSHZ është se zgjedhje nuk do të ketë në qershor”, është shprehur analisti politik Alajdin Demiri.

Pa numërimin e popullatës nuk ka të dhëna kredibile

Në analizën e fundit se sa mund të jenë zgjedhjet kredibile pa regjistrimin e popullsisë eskpertët kanë deklaruar se realizimi i regjistrimit të popullatës, pa shtyrje, pa taktizim dhe pa politizim duhet të jetë prioritet kulmor, për shkak se ky operacion statistikor është bazë për të gjitha llogaritjet, dhe është i rëndësishëm jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe për zhvillimet ekonomike.

Gërshetimi i të dhënave të qytetarëve nëpërmjet njëmbëdhjetë institucioneve të ndryshme shtetërore do të ndihmojë për pastrimin e Listës zgjedhore në prag të zgjedhjeve të ardhshme, mirëpo kjo nuk mund ta zëvendsojë regjistrimin e popullatës, operacion ky të cilin Maqedonia nuk e ka realizuar që në vitin 2002, thotë njëri nga drejtorët e mëparshëm të Entit statistikor, Donço Gerasimovski. Ai pret që nëpërmjet gërshetimit të të dhënave, të dalin në sipërfaqe edhe “votuesit fiktivë”.

“Tani bëhet gërshetimi i të dhënave nga 11 institucione të ndryshme. Në mesin e tyre, gjithsesi më të rëndësishme janë FSPIM-ja dhe FSSHM-ja, si dhe Drejtoria për të hyra publike. Nga ana tjetër, shumë me rëndësi është se si janë bazat e të dhënave që i kanë këto institucione. Është e pritshme që gjatë gërshetimit të paraqiten të dhëna të ndryshme, të cilat pastaj do të verifikohen në terren. Problematike, gjegjësisht e dyshimtë, sipas meje, do të jetë rasti kur, për shembull, në adresën e njëjtë do të paraqiten 20 deri në 30 njerëz. Domethënë flasim për votues nga Pusteci, e poashtu pres të paraqiten edhe votues nga Kosova. Këtu janë edhe të vdekurit, si dhe ata që janë shpërngulur nga Maqedonia”, thotë Gerasimovski.

Sipas tij, nuk ka dyshim se Maqedonia duhet sa më shpejtë ta bëjë numërimin e popullatës, për shkak se vetëm në atë mënyrë do të krijohet bazë për të gjitha matjet e ardhshme ekonomike dhe politike. Ky operacion konsiderohet i rëndësishëm jo vetëm për ta numëruar numrin e popullatës në shtëpi, por të fitohet një pasqyrë e plotë për njerëzit që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit.

Deralla: KSHZ të sigurojë proces kredibil

Deralla ka folur pë rëndësinë e zgjedhjeve të pranueshme nga të gjitha palët.

“Për zgjedhje të lira nuk janë të mjaftueshme vetëm fjalët dhe marrëveshjet. Nuk janë të mjaftueshme as misionet vëzhguese dhe negociatorët ndërkombëtar. Për zgjedhje të lira duhet besim në Listën e zgjedhësve dhe në institucionet relevante për procesin zgjedhor, duke filluar nga KSHZ, duke përfunduar në këshillat zgjedhor, si dhe resoret qeveritare për punë të brendshme, drejtësi, sociale, e kështu me radhe. Janë të nevojshme media të lira dhe qytetar/e që nuk kanë frikë t’i shprehin parregullsitë.

Vendimi i KSHZ-së për kontroll në teren edhe me tepër e hijezon këtë proces.

Vendimi i fundit i KSHZ për kontroll të pjesshëm në terren, vë në dyshim se shpëtuan disa votues fantom për të cilët CIVIL ka folur zëshëm vite më parë. KSZH duhet ta rishikojë këtë vendim.

CIVIL bën thirrje dhe kërkon nga shteti që të sigurojë maksimalisht respekt ndaj votës së qytetarit dhe të krijojë kredibilitet maksimal në procesin zgjedhor.

Kërkojmë nga KSHZ të veprojë profesionalisht dhe t’u jep përparësi ekspertizave. Shpresojmë se KSHZ do të vendos të jetë në komunikim të vazhdueshëm me shoqërinë civile, e cila gjatë kohë është e përfshirë në monitorimin e zgjedhjeve dhe do të mund të japin edhe mbështetje të ndryshme procesit.

Kërkojmë kontroll të saktë në terren, pa pardon dhe pa asnjë shantazhë”, tha ai.

Maqedonia, së bashku me Somalinë bën pjesë në grupin e vendeve të botës, të cilat më shumë se një dekadë nuk kanë zbatuar regjistrim të popullsisë. /Telegrafi/

Exit mobile version