Site icon Telegrafi

Maqedoni: Nga sot mund të aplikoni për masën e dytë ekonomike kredi pa kamatë përmes Bankës për Zhvillim

Aplikimi për paketën e dytë të kredive pa interes përmes Bankës për Zhvillim në vlerë prej tetë milion euro fillon sot, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Thirrja është e dedikuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në të gjitha industritë, dhe një nga kushtet është që kompanitë të kenë një rënie të të ardhurave prej 30 përqind. Huatë janë pa interes me një periudhë të shlyerjeje deri në tre vjet dhe një periudhë mospagimi prej 12 muaj. Shpenzimet drejt Bankës për Zhvillim zvogëlohen në zero. Shuma minimale e kredisë është 3.000 euro, dhe shuma maksimale është 90.000 euro. Shuma do të përcaktohet në bazë të numrit të punonjësve që ka pasur ndërmarrja deri më 31 janar, në mënyrë që paga minimale të shumëzohet me numrin e të punësuarve për tre muaj.

Aplikimi do të jetë elektronik, dhe dokumentacioni për “Covid 2” është pothuajse i njëjtë si për paketën e parë “Covid 1”. Këtë herë lehtësim do të jetë se dokumentet e nevojshme nga Regjistri Qendror do të lëshohen falas.

Fondet për këtë paketë sigurohen përmes Fondit të kompensimit të Japonisë.

Sipas zyrtarëve, ky është një injeksion i rëndësishëm financiar për kompanitë që të ruajnë likuiditetin dhe vendet e punës./Telegrafi/

Exit mobile version