Site icon Telegrafi

Maqedoni, nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10

Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10 me kompaninë amerikane Bechtel Enka. Punimet do të fillojnë atëherë kur do të përpilohet ligji i cili duhet të votohet në Kuvend. Nesër në qeveri do të formohet grup pune dhe do të përpilohet plan aksionar për të gjithë projektin. Drejtori i ndërmarrjes Rrugët shtetërore thotë se korridori 8 do të jetë gati deri në fund të mandatit, gjegjësisht deri në vitin 2025.

“Shpresojmë se në mënyrë të shpejtë do ta sjellim ligjin dhe pas sjelljes së ligjit menjëherë do të fillojmë, shpresojmë që këtë vit do të fillojmë me aktivitete ndërtimore. Shpresojmë nga bisedat që i kemi pasur, në qoftë se nuk do të kemi vonesa administrative shpresojmë që deri në fund të vitit 2025 do të kemi ndërtimin e autostradës së korridorit 8″, deklaroi Rrustemi.

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi tha se ndërtimi i këtij korridori do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe ekonominë e vendit.

“Korridori 8-të përfaqëson mundësi të mirë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, qoftë nga pikëpamja politike pasi që ai do të bëjë të mundur që vendi të marrë peshë të re gjeopolitike si një urë lidhëse mes vendeve të Ballkanit. Ky projekt do të kalojë nëpër Tetovë, përmes Gostivarit, Kërçovës, Trebenishtës në Strugë e deri në Qafë Thanë”, deklaroi Grubi.

Ministri i transportit Bllagoj Boçvaski tha se me këtë investim investimesh po bëhet modernizimi i Korridorit 8 dhe 10. Shton se nuk do të lejojmë më vonesat në ndërtimin e rrugëve siç ka ndodhur deri më tani.

“Procedurat më të shpejta bazohen në faktin se ne nuk do të shkojmë me procedurat e projektimit, pastaj revizioni, pastaj për projektime shtesë, pastaj procedurat e ndërtimit, por e gjithë kjo do t’i shkojë kontraktuesit që udhëheq procedurën e projektimit dhe ndërtimit”, tha Boçvaski.

Nuk dihet ende se sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit ky projekt. Ndryshe korridori 8 është një aks komunikacioni që duhet të përfshijë lidhjen mes Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Shqipërisë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kështu do të kenë qasje më të madhe në perëndim, ndërsa Shqipëria ashtu si vendet e tjera shpreson për rritje ekonomike.

Exit mobile version