Site icon Telegrafi

Maqedoni: Në tremujorin e parë të këtij viti më shumë raste të dhunës ndaj grave

Foto: Ilustrim

Ndjehet rritje e dhunës në familje. Qytetarët gjatë periudhës së izolimit shfaqin doza më të larta agresiviteti duke përkeqësuar atmosferën në ambientin familjar.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, viktimat më të mëdha të dhunës vazhdojnë të jenë gratë. Nëse në Shkup, gjatë vitit 2019 në muajt janar, shkurt dhe mars janë kryer 55 raste të veprës penale “dhunë në familje”, në vitin 2020 gjatë po të njëjtës periudhë janë kryer 75 vepra të tilla.

Gjithashtu sipas këtyre të dhënave pas qytetit të Shkupi, si qytete në të cilën është rritur dhuna theksohet Tetova dhe Ohri. E nëse në vitin 2019 në të gjithë vendin kemi 165 gra viktima të dhunës, në 2020-n në po të njëjtën periudhë kemi 207 gra të dhunuara.

Sociologia, Drita Mehmeti thotë se në këtë periudhë shkak për rritje të dhunës në familje është izolimi si njëra ndër arsyet kryesore, e ku më pas vijojnë shkaqe të tjera si, humbja e vendit të punës nga kryefamiljari, mungesa e tolerancës dhe përballja me realitetin.

“Kohëve të fundit si pasojë e krijimit të Covid-19 dhe si pasoje e Covid na krijohet karantina, është verifikuar se dhuna me të madhe është shfaqur në familje. Motoja “Qëndro në shtëpi” fatkeqësisht nuk është motoja më e sigurt për secilën grua. Të shumta janë ato gra të cilat si pasojë e karantinës duhet të qëndrojnë 24 orë të mbyllura me dhunuesit e tyre dhe shtëpia tani nuk është vendi më i sigurt për ato”, tha Drita Mehmet , sociologe.

Mehmeti, rekomandon që në këtë periudhë njerëzit e sidomos burrat ta marrin situatën më me qëtësi dhe të jenë tolerant sepse shumë shpesh komunikimi i pakontrolluar dhe i stërzgjaur me anëtarët e familjes mund të shkaktojë dhunë të natyrave të ndryshme. Ndërkohë që kohë më parë, Ministria e Shëndetësisë ka hapur linjë telefonike për mbështetje psikologjike për të gjithë qytetarët që kanë nevojë./TV21/

*Foto: Ilustrim

Exit mobile version