Site icon Telegrafi

Maqedoni, në mars janë dhënë 219 leje për ndërtim

Në mars të këtij viti janë dhënë 219 leje për ndërtim, për 20,9 për qind më pak në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, publikoi sot Enti Shtetëror për Statistikë.

Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e parashikuar e objekteve arrin 2.729.753.000 denarë, që është për 11,2 për qind më pak krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar.

Numri më i madh i lejeve për ndërtim 55 janë dhënë në rajonin e Shkupit, pas së cilës vijon rajoni i Pollogut me 48, rajoni i Vardarit me 33…Edhe në këtë periudhë me më pak leje për ndërtim janë rajonet Lindore dhe Juglindore, ku janë shtatë, përkatësisht tre.

Nga numri i tërësishëm i lejeve të dhëna për ndërtim, 115 (52.5 për qind) janë destinuar për objektet e ndërtimit të lartë, 41 (18,7 për qind) për objektet e ndërtimit të ulët dhe 63 (28,8 për qind) për objekte në rikonstruim. Nga 219 objekte për të cilat janë dhënë leje për ndërtim, në 109 (49,8 për qind) si investitorë paraqiten persona fizik, ndërsa në 110 (50,2 për qind) investitorë janë subjekte afariste.

Të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë tregojnë se në periudhën e raportit është parashikuar ndërtimi i 228 banesave, me sipërfaqë të tërësishme prej 24.572 metër katror. Në rajonin e Shkupit do të ndërtohen 86 banesa, nga të cilat 38 në Komunën e Gazi Babës, 22 në kisella Vodë, 17 në Karposh.

Exit mobile version