Në korrik të këtij viti janë lëshuar 422 leje ndërtimi, që është për 5,4 për qind më pak krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se më së shumti leje ka në rajonin jugperëndimor dhe të Shkupit, 98 përkatësisht 97, pas çfarë vijojnë rajoni i Pollogut me 71, ai lindor me 47, i Pellagonisë me 40, ai jugperëndimor me 35, rajoni i Vardarit me 29.
Sipas lejeve të lëshuara për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është 6.206.757.000 denarë, për 37,6 për qind më pak në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Nga numri i përgjithshëm i lejeve të lëshuara për ndërtim, 250 (59,2 për qind) janë të destinuara për objekte të larta, 46 (10,9 për qind) për ndërtesa të ulëta dhe 126 (29,9 për qind) për objekte për rikonstruktim.
Në periudhën raportuese është planifikuar ndërtimi i 907 banesave, me një sipërfaqe të përgjithshme të shfrytëzueshme prej 81.059 metra katrorë. Në Shkup do të ndërtohen gjithsej 301 banesa, nga të cilat 132 në Çair, 60 në Qendër, 40 në Karposh, 36 në Gazi Babë, 16 në Aerodrom, tetë në Butel, katër në Ilinden. Në Ohër është planifikuar të ndërtohen 132 banesa, në Prilep 113, Strugë 90, Gostivar 62, etj.
Nga gjithsej 422 objekte, 267 (63,3 për qind) si investitorë paralajmërohen persona fizikë, ndërsa 155 (36,7 për qind) investitorë janë subjekte afariste.