Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot në seancën e 48-të ka bërë ndryshim në dekretin për mbështetje financiare të pagave. Sipas ndryshimeve punëdhënësit që do ta shfrytëzojnë ndihmën financiare për të paguar pagat nuk duhet ta zvogëlojnë numrin e të punësuarve në prill, si dhe dy muaj pas përfundimit të masës, pra deri në korrik.
Krahas kësaj, është miratuar edhe plotësimi i Dekretit për zbatimin e Ligjit për marrëdhënie pune gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, i cili mundëson punësim retroaktiv të personave, punësimi i të cilëve u është ndërpre në periudhën nga 11 marsi deri më 30 prill dhe paraqitjen e tyre në mënyrë të duhur në sistemin e sigurimit të detyrueshëm social.
Punëdhënësit që bien dakord për punësim retroaktiv të personave, punësimi i të cilëve është ndërprerë, do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë deri më 7 maj, dhe kështu plotësojnë kriteret për marrjen e të drejtës për të përdorur masën e ndihmës financiare për pagesën e pagave në prill dhe maj.
“Me ndryshimet konfirmohet, garantohet dhe përforcohet politika e qeverisë për ruajtjen e vendeve të punës, në kushte të krizës të shkaktuar nga koronavirusi, sigurohet mbrojtje e të drejtave të punëtorëve, të ardhura të denja dhe pamundësohet ndërprerja e padrejtë e marrëdhënieve të punës të punëtorëve”, thonë nga Qeveria.
Sqarojnë se punëdhënësi nuk duhet të zvogëlojë numrin e të punësuarve, përveç në rast pensioni dhe vdekje të një punonjësi, anulimin e kontratës së punës nga punëtori, anulimin e kontratës së punës pa njoftim nga punëdhënësi për shkak të shkeljes së urdhrit të punës dhe disiplinimi ose obligimet e punës, marrja në punë me kontratë e një punonjësi, përfundimi i vlefshmërisë së kontratës së punës në bazë të aktgjykimit gjyqësor dhe përfundimit të vlefshmërisë së kontratës së punës për shkak të paaftësisë të përhershme për punë./Telegrafi/