Telegrafi

Maqedoni, ndryshimet në Ligjin për planifikim hapësinor dhe urbanistik kalojnë leximin e parë në Kuvend

Komisioni për transport, lidhje dhe ekologji në Kuvendin e Maqedonisë në seancën e sotme e shqyrtoi Propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për planifikim hapësinor dhe urbanistik, në leximin e parë, e dorëzuar nga deputetë të shumicës kuvendore dhe me 6 vota ‘për’ dhe 3 ‘kundër’ konstatoi se është i pranueshëm dhe se duhet të jepet për lexim të mëtejmë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Me këtë propozim, siç tha Tomisllav Tuntev nga LSDM, përmbushen kërkesat e qytetarëve të cilët janë ballafaquar me probleme gjatë ndërtimit të objekteve dhe ridedikimit të tokës në lidhje me përfundimin e procedurave.

“Ndryshimet janë në drejtim të harmonizimit të vendimeve me Ligjin për ndërtim. Në veçanti është e vlefshme për qytetarët të cilët jetojnë në qytete të mbrojtura me përmbajtje të trashëgimisv kulturore, siç janë Ohri, Vinica dhe Manastiri. Kemi informata se një numër i madh i investitorëve dhe qytetarëve që janë në pritje të ndërtimit të objekteve të tyre dhe persona që duhet të plotësojnë procedurën ligjore nuk janë në mundësi sepse ato kërkesa janë në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për planifikim hapësinor dhe urban”, tha Tuntev.

Ai shton se me këto ndryshime mundësohet qasje më e lehtë deri tek planet nga ana e palëve të interesuara dhe me këtë deri te transparenca më e madhe gjatë krijimit të planeve urbanistike./Telegrafi/