Qeveria ende nuk ka filluar pagesën e ndihmës shtetërore prej gjashtë mijë denarëve për kategoritë e rrezikuara, të cilat do të mund ti shfrytëzojnë për tu furnizuar me produkte maqedonase. Ligji është shpallur në Gazetën Zyrtare, që do të thotë se ka hyrë në fuqi. Por, qeveria shprehet që paratë e qytetarëve do të shkojnë nëpër llogaritë e tyre të transaksioneve kah mesi i këtij muaji, që shkurton afatin për shpenzimin e mjeteve. Qytetarëve do t’u mbetet më pak se dhjetë ditë për ta shfrytëzuar këtë masë antikrizë, sepse paratë duhet të shpenzohen jo më vonë se 25 dhjetor. Qeveria nuk tregon pse procesi është zvarritur. Ministri i financave nuk kishte detaje pse pagesa është me vonesë dhe nëse qytetarët do të kenë kohë të mjaftueshme për t’i përdorur këto të holla.
“Fondet e parashikuara në buxhet do t’u jepen qytetarëve, që të ndihmojnë atë kategori të qytetarëve por edhe ekonominë”, tha Fatmir Besimi Ministër i Financave.
Qeveria ende nuk ka publikuar listën e qytetarëve që kanë të drejtë për këtë ndihmë prej gjashtë mijë denarësh në faqen e internetit “Blej produkte vendore”, dhe pastaj qytetarët që do të jenë në këtë listë dhe nuk kanë llogari transaksioni ose llogaria e tyre është e bllokuar duhet të hapin një të re në bankën ku Qeveria do t’i shpërndajë ato.
“Mbështetja financiare në vlerë prej 6,000 denarë është e destinuar për kategori të rrezikuara të qytetarëve dhe u referohet punëtorëve të falimentuar, prindërve të vetëm, pensionistëve që marrin deri në 15,000 denarë, punëkërkuesve pasivë, artistëve, qytetarëve nga 16 deri në 29 vjeç, fëmijëve pa prindër”, njoftojnë nga Qeveria.
Vlerësimet fillestare janë se ndihmë të tillë prej 6000 denarëve do të marrin rreth 300 mijë qytetarë./Alsat/