Site icon Telegrafi

Maqedoni, ndarja e reklamave qeveritare do të rregullohet me ligj

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë është shprehur kundër propozim-ligjit për fushata informative dhe reklamuese të institucioneve publike, meqë siç kanë theksuar, në këtë formë pushteti synon të legalizojë korrupsionin në media.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, madje u ka dërguar një letër të hapur të gjithë garantuesve të marrëveshjes politike të Përzhinës, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jess Baily dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav, ku shprehet brengosje e thellë e punonjësve të medieve rreth propozim-ligjit që mundëson reklamimin e aktiviteteve të qeverisë.

Në letër, theksohet se përmes këtij ligji legalizohet, përkatësisht zgjerohet veprimi i aktiviteteve korruptive mes pushtetit dhe mediave të caktuara.

Veçanërisht theksohet se strukturat qeveritare, në këtë rast, edhe më shumë do të përforconin kontrollin ndaj mediave përmes shpërndarjes së mjeteve nga arka e shtetit.

Ndërkohë, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në kuadër të mbledhjes së komisionit parlamentar për transport dhe lidhje, është hapur debati publik edhe për këtë propozim-ligj.

Ministrja e shoqërisë informative dhe administratës publike, Marta Arsovska-Tomovska ka sqaruar se me këtë propozim-ligj rregullohen mënyra dhe kushtet për realizim të aktiviteteve të informimit publik nga ana e institucioneve publike në tërësi ose pronësi dominuese shtetërore, pastaj procedura për realizim dhe mënyra e ndarjes së buxhetit për fushata për të cilin realizim janë paraparë mbi 100.000 euro.

“Ligji i cili tanimë ka hyrë në proces konsultativ mundëson garanci të plotë se nuk do të destabilizohet në asnjë mënyrë tregu mediatik si rrjedhojë e implementimit të një zgjidhje të këtillë ligjore. Përkundrazi vendoset një themel i shëndoshë ligjor në bazë të cilit do të bëhet shpërndarja e mjeteve nga buxheti i fushatave”, ka theksuar ministrja Marta Arsovska Tomovska.

Por, Nazim Rashitit, gazetar, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se problemi qëndron në atë se autoritetet shtetërore me çdo kusht dëshirojnë të kontrollojnë mediat përmes kanalizimit të mjeteve nga arka e buxhetit vetëm në disa media të caktuara të afërta me pushtetin.

“Në esencë çdo entitet, në këtë rast dhe organet qeveritare në një moment të caktuar do të duhet të informojnë qytetarët e tyre për atë që punojnë, sepse është në të mirën e tyre, po në asnjë mënyrë kjo nuk duhet të kalojë përkatësisht të shndërrohet, siç është rasti konkret në Maqedoni, si mekanizëm kontrolli apo dominimi të këtyre medieve”.

“Nëse teknikisht mundësohet një shpërndarje e drejtë e reklamave, atëherë gjithçka do të ishte në rregull. Por, frika tek të gjithë është se në këtë lloj mënyre pushteti tani përmes ligjit mundohet të blejë influencën e mediave dhe kjo në asnjë mënyrë nuk i bën mirë demokracisë”, vlerëson Nazim Rashidi.

Ndërkaq Lirim Dullovi, botues i së përditshmes Koha në kuadër të debatit në komisionin parlamentarë për transport dhe lidhje ka nënvizuar se Propozim-ligji krijon shumë hapësirë për të subvencionuar mediat elektronike të afërta me pushtetin dhe mos shpërndarjen e barabartë të mjeteve nga fushat e ndryshme reklamuese.

“Ne kërkojmë që në ligj saktë të precizohet se 70 për qind e mjeteve nga fushatat të shpërndahen në mediat elektronike, përkatësisht në TV dhe audio, kurse 25 për qind në mediat e shkruara dhe 5 për qind në portalet e regjistruara në formë ligjore”, ka vlerësuar Lirim Dullovi.

Reformat në media janë pjesë e bisedimeve për të cilën akoma nuk kanë arritur ujdi përfaqësuesit e katër partive politike kryesore në përpjekje për të zgjidhur krizën politike në Maqedoni./Telegrafi/

Exit mobile version