Site icon Telegrafi

Maqedoni: Mungon transparenca gjatë punësimeve në administratë

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, theksojnë se reformimi i administratës së shtetit lë shumë për të dëshiruar përderisa administrata shtetërore përdoret, siç thonë, si vegël për të kënaqur aktivistët partiakë, gjë që bëhet më e dukshme para cikleve zgjedhore.

Gjatë këtij muaji janë shpallur vetëm brenda katër ditëve 43 konkurse për punësim në institucione të ndryshme të shtetit. Përderisa gjatë muajit të kaluar u shpallën 130 konkurse për vende të reja të punës ku rrogat arrijnë deri në 40 mijë denarë (rreth 650 euro).

Administrata shtetërore në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi mbetet në fokus të kritikave të faktorit ndërkombëtar për numrin e madh të të punësuarve.

Të shumta janë dhe ankesat e qytetarëve për mosshërbimin në kohë nga punëtorët e administratës.

Edhe përkundër kësaj, të dhënat e regjistrit të Ministrisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës kanë nxjerrë në pah se numri i i të punësuarve në administratë brenda tre viteve është rritur 3 për qind, përkatësisht për 3 mijë e 721 të punësuar.

Neda Malevska nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime, për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet duhet të jenë më transparente rreth punës që bën çdo i punësuar, në veçanti, numrit të atyre që shkojnë në pension.

“Institucionet në këtë moment është e patjetërsueshme të përgatisin analiza funksionale në bazë të së cilave do të bëjnë kërkesa për rritjen e numrit të të punësuarve ose zëvendësimin e atyre të cilët dalin në pension”.

“Përmes një programi të qartë dhe transparent nga ana e institucioneve do të eliminohet çdo mundësi për keqpërdorim të administratës në funksion të “vjeljes” së votuesve para zgjedhjeve”, thotë Malevska.

Nga ana tjetër, Besa Kadriu, ligjëruese e shkencave politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se se një administratë e cila përzgjidhet përmes filtrit të partive i bën edhe institucionet të jenë më të mbyllura.

Ajo problemin e fokuson në faktin se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut të ardhmen e tyre vazhdojnë ta shohin si të punësuar në administratë, në një vend pune që nuk kërkon shumë mund, por siguron rehati.

“Zakonisht problemet e shteteve që janë në proces të tranzicionit ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut nuk bëjnë hetime për periudha afatgjate, përkatësisht hartimin e planeve strategjike për të ardhmen. Me këtë, forca punëtore do të orientohej nga sektori privat dhe jo siç ndodh tani kryesisht sektori publik shihet si vend që gjeneron punë”, thotë Besa Kadiu, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Përderisa, Neda Malevska nënvizon se edhe përkundër reformave, administrata e Maqedonisë së Veriut është shumë larg modelit që kanë vendet e zhvilluara evropiane ku një administrator arrin të japë më shumë shërbime të ndryshme për qytetarët.

“Kjo administratë duhet të krijojë politika të tilla sistemore që të mund të zhvillohen më shumë shërbime në departamente të ndryshme që do të jenë në dobi të qytetarëve, që administrata të mund të zvogëlojë numrin, por të rris mundësinë e shërbimeve”, thekson Neda Malevska.

Ndërkaq, Temellko Ristevski, ligjërues në Fakultetin e Administratës në Shkup, si problematike e sheh mos-shpërndarjen adekuate të administratorëve në institucionet e shtetit.

“Shikuar në aspektin global administrata e Maqedonisë së Veriut është shumë më e madhe se nevojat. Zgjidhja më e mirë e këtij problemi do të ishte shpërndarja e tepricës së administratorëve atje ku ka mungesë, edhe pse është e kuptueshme se kjo, jo gjithmonë është e mundur sepse në disa raste kërkohen ekspertë në lëmi përkatëse”.

“Por, për këtë duhet një analizë gjithëpërfshirëse për të gjithë të punësuarit në administratë”, thotë Ristevski.

Administrata shtetërore për momentin numëron mbi 130 mijë të punësuar. Njohësit e çështjeve politike thonë se sektori publik do të mbetet në fokus të interesit të të rinjve për punësim përderisa nuk fuqizohet sektori privat duke garantuar paga më të larta dhe mundësi për ngritje në karrierë./REL/

Exit mobile version