Qendra për shëndet publik në Shkup përballet me mungesë të theksuar të stafit mjekësor. Në këtë qendër e cila mbulon të gjitha komunat e Shkupit ka vetëm një mikrobiolog dhe gjashtë epidemiologë. Mjekët e punësuar në këtë Qendër thonë se e kanë shumë të vështirë të mbulojnë të gjitha nevojat e pacientëve e në veçanti kur ka paraqitje të ndonjë gjendje të jashtëzakonshme apo ndonjë epidemie.
“Numri i epidemiologëve në Qendrën për shëndet publik për momentin është gjashtë dhe njëri është para provimit specialisitik, pra shtatë. Ky numër nuk është aspak i mjaftueshëm për shkak se brenda tre katër vjetësh tre kolegë do të pensionohen dhe ne mbulojmë gjithë qytetin e Shkupit. Për të bërë gjithë këtë monitorim të Qytetit të Shkupit për të bërë vaksinimin e fëmijëve shkollor, parashkollor, të gjithë qytetarët të cilët udhëtojnë, pastaj për të përcjellur infeksionet intrahospitale nëpër të gjithë spitalet e Shkupit, për të përcjellë të gjitha çerdhet dhe shkollat. Është shumë e vështirë që këta epidemiologë të arrijnë mbulesën e të gjithë Shkupit”, deklaroi Lulzime Bajrami, Epidemiologe në Qendrën për shëndet publik – Shkup.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë të njoftuar me këtë gjendje dhe se po planifikojnë të ndërmarrin masa për përmirësimin e situatës.
“Ministria e Shëndetësisë është e njoftuar me gjendjen e mungesës së epidemiologëve si dhe personelit mjekësor dhe mbrojtjeve tjera preventive shëndetësore. Tanimë është bërë analizë e detajuar e kuadrit ekzistues momental dhe nevojat reale për plotësimin e kuadrit mjekësor. Në përputhje me prioritetet, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente do të ndërmarrë aktivitete adekuate për tejkalimin e kësaj mungese, duke marrë parasysh se mbrojtja preventive shëndetësore është në fokus të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Vite me radhë drejtuesit e Qendër për Shëndet Publik kanë bërë kërkesë deri në dikasterin e Shëndetësisë që të hapet konkurs për pranimin e mjekëve të rinj, por deri më tash nuk ka pasur vullnet për plotësimin e këtyre nevojave. Të punësuarit punojnë orë plotësuese jashtë orarit kurse një epidemiolog duhet të mbulojë një komunë të tërë./Telegrafi/