Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) bën me dije se projektligji për arsimin e mesëm profesional është hartuar nga një grup pune dhe javën e ardhshme do të jetë i disponueshëm në sistemin ENER të qeverisë. Nga aty shtojnë se të gjitha palët e interesuara do të mund të kontribuojnë në krijimin e zgjidhjes më të mirë ligjore, në përputhje me përcaktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për punë transparente dhe të përgjegjshme, si dhe në të njëjtën kohë për hartimin e një legjislacioni modern dhe evropian për përcaktimin e arsimit dhe formimit profesional në vend.
“Për të mundësuar arsimin profesional që do të bashkëpunojë në tregun e punës, Ligji i propozuar rregullon konceptin e arsimit të dyfishtë, si dhe specifikon dispozitat që kanë të bëjnë me arsimin praktik, veçanërisht të fituar tek një punëdhënës i njohur, me qëllim të rritjes së vëllimit të tij dhe cilësisë. Nëpërmjet zgjidhjeve të parashikuara në ligj, po racionalizohen burimet e sistemit të arsimit profesional, me synimin për të kapërcyer problemet që lindin nga copëzimi dhe shpërbërja e institucioneve të arsimit dhe formimit profesional. Duke marrë parasysh rolin qendror koordinues që luan Qendra e Arsimit dhe Formimit Profesional, e cila po shndërrohet në Qendër për Zhvillimin e Arsimit Profesional, ndërhyrjet e duhura bëhen edhe në kompetencat e saj, në mënyrë që ajo t’i përgjigjet sa më mirë detyrave të reja që i janë besuar”, theksojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
MASH gjithashtu thotë se përveç këtij Projektligji, është hartuar edhe Projektligji i ri për arsimin e mesëm. “Përveç të drejtave dhe mundësive të shumta të reja për pjesëmarrësit në procesin arsimor në shkollat e mesme, vend qendror në procesin e krijimit të tij është marrja në punë e asistentëve arsimorë, sipas të njëjtit parim si në shkollat fillore, gjegjësisht ata duhet të përfshihen në procesin mësimor si persona të punësuar në shkolla/qendra burimore dhe jo siç ka qenë praktika e deritanishme ku janë punësuar me projekte apo në kurriz të prindërve të nxënësve me zhvillim jotipik”, njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Në njoftimin e tyre, ata theksojnë se së shpejti ky Projektligj do të publikohet në ENER dhe në dispozicion për sugjerime shtesë nga qytetarët, institucionet, organizatat civile dhe shoqatat. (koha.mk)