Kanë përfunduar të gjitha punët ndërtimore të financuara përmes IPA grantet për infrastrukturën rurale, në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, që e zbaton Ministria e Financave. Bëhet fjalë për 133 projekte kapitale në 78 komuna në vend, që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës në mjediset rurale dhe zgjidhjen e problemeve infrastrukturore.
Shuma e plotë, siç njoftojnë nga Ministria e Financave, e këtyre projekteve është 16.9 milionë euro, nga ku 12.7janë grante, mjete të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian, ndërsa 4.2 milionë euro janë siguruar nga buxheti shtetëror, njofton Telegrafi Maqedoni.
Pjesa më e madhe e projekteve të realizuara janë për ndërtim dhe rikonstruim të rrugëve lokale, nga ku në 58 komuna janë investuar 12.4 milionë euro. Në ndërtimin e objekteve publike janë investuar 5.9 milionë euro, në infrastrukturë 3.8 milionë euro.
Një pjesë e madhe e këtyre projekteve tashmë janë vendosur në përdorim, ndërsa një pjesë e tyre së shpejti edhe zyrtarisht do të lëshohen për përdorim.
Grant mjetet për zhvillimin e infrastrukturës rurale janë siguruar nga Bashkimi Evropian me kërkesë nga Qeveria, dhe të njëjtat janë administruar përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, që e zbaton Ministria e Financave me përkrahje të Bankës Botërore./Telegrafi/