Telegrafi

Maqedoni, i merret leja për punë gjinekologut që mashtroi pacienten se është shtatzënë

Gjykata e Nderit pranë Odës së Mjekëve ia ka marrë licencën për punë gjinekologut Nikolla Damçevski, jozyrtarisht mëson Nova TV. Gjionekologu akoma nuk e ka pranuar vendimin e Odës së Mjekëve, ndërsa pasi ta pranojë ka të drejtë ankese në afat prej dy javëve.

Vendimin e këtillë e solli Gjykata e Nderit pasi u dëgjuan dhe u ballafaquan pacientja dhe gjinekologu. Damçevski akuzohet nga paciente se për nëntë muaj e ka mashtruar se është shtatzënë, duke i dhënë ilaçe të panevojshme dhe hormona, ndërsa në dëshminë para gjykatës ai theksoi se këtë e ka bërë për të mirë të pacientes, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Përderisa gjinekologu ankohet, atëherë gjykata e shkallës së dytë sjell vendim. Ndërsa nëse përsëri ankohet, atëherë shpresa e fundit për të mbetet Kuvendi i Odës së Mjekëve, i cili vendos për këtë ankesë dhe sjell vendimin përfundimtar.

Kjo nuk është hera e parë që Damçevski të jetë i paralajmëruar në Odën e Mjekëve. Para tre viteve për të kishte edhe një ankesë, por atëherë nuk u ndërmor asnjë masë ndaj tij./Telegrafi./