Telegrafi

Maqedoni: Mbyllja e kufijve shkakton probleme për studentët e Kosovës, kërkojnë leje të veçantë për të udhëtuar

Vendimi i Maqedonisë së Veriut për t’i mbyll kufijtë me Kosovën, gjegjësisht të lejohet kalimi vetëm me test negativ për COVID-19, ka shkaktuar reagim tek shtetasit e Kosovës, sidomos tek studentët të cilët studiojnë në Maqedoninë e Veriut.

Një grup i studentëve të Kosovës, që janë të regjistruar në njërin nga Universitetet e Tetovës, thonë se është padrejtësi mos-lejimi i hyrjes së tyre pa test negativ për COVID-19, pasi këto ditë duhet t’i mbajnë provimet, ndërsa kanë probleme me realizimin e testeve për coronavirus.

Në një reagim për Telegrafi Maqedoni, ata thonë se testin PCR nuk mund ta bëjnë në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, pasi siç thonë, ka mungesë të testeve. Ndërsa fakulteti i tyre, gjegjësisht ai i mjekësisë, nuk organizon provime online, që të njëjtit të mund t’i realizojnë në distancë.

Studentët kosovar kërkojnë nga dekanati i Universitetit Shtetëror të Tetovës”Fadil Sylejmani”,  ku edhe ndjekin studimet, që t’ua mundësojë mbajtjen e provimeve në distancë.

“Ne studentët e mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, shumica shtetas të Kosovës, në pamundësi për të qenë fizikisht në Tetovë në këtë situatë pandemie për të mbajtur provimet, meqenëse kemi paguar semestrin dhe provimet, me mirësjellje shprehim shqetësimet tona: kërkojmë nga dekanati/rektorati të na ofrojë mundësinë e mbajtjes se provimeve (kjo mund të bëhet fizikisht apo online). Gjithashtu kërkojmë që të rishqyrtojë kërkesën tonë për të kërkuar leje të veçanta për ne si studentë që të mund të udhëtojmë dhe t’i mbajmë fizikisht privimet”.

“Duhet cekur qe teste masive për Covid-19 në Kosovë nuk po bëhen, prandaj ardhja jonë është e pothuajse e pamundur, pa leje te veçantë”, thonë studentët në reagim.

Ata gjithashtu kërkojnë që provimet e humbura gjatë kësaj periudhe të zëvendësohen, për shkak të pamundësisë për të udhëtuar nga Kosova në Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/