Numër i madh i qytetarëve vlerësojnë se korrupsioni është prezent në nivel lokal, por përqindje edhe më e madhe vlerësojnë se denoncimi i korrupsionit është betejë e humbur që në fillim.
Këto konstatime kanë dalë nga hulumtimi për perceptimin e qytetarëve mbi prezencën e korrupsionit në nivel lokal, realizuar nga OJQ Infoqendra, në kuadër të projektit “Reflektor mbi praktikat antikorruptive në nivel lokal”, financuar nga USAID.
Qytetarët vlerësojnë se korrupsioni në komuna, vërehet më së shumti gjatë punësimeve, emërimit të drejtorëve, dhënies së lejeve për ndërtim, mbikqyrjes së inspektoriatit, përpilimit të planeve detale urbanistike, furnizimeve publike, subvencioneve.
Qytetarët janë shprehur se të gjitha funksionet dhe pozicionet në nivel lokal janë të ekspozuara njëjtë ndaj korrupsionit, por më pas i kanë ndarë inspektorët komunal, kryetarët e komunave, nënpunësit komunal dhe drejtorët e institucioneve publike, ndërmarjeve dhe organeve tjera në nivel lokal”
Qytetarët gjithashtu kanë shprehur pakënaqësi edhe ndaj transparencës dhe llogaridhënies së komunave dhe vlerësojnë se buxhetet e komunave nuk shpenzohen për përmbushjen e nevojave të tyre, se nuk janë të përfshirë në planifikimin e buxheteve dhe se nuk janë të informuar për mënyrën se si shpenzohen paratë e komunës.