Nëse gjatë vitit 2017 publiku numëronte sa padi penale janë ngritur dhe sa lëndë janë hapur nga ana e Prokurorisë Speciale Publike, në vitin 2018 pritet rrjedha e këtyre lëndëve gjyqësore, çfarë dëshmi kanë përgatitur nga PSP-ja, me çfarë mbrojtje do të kthejnë të akuzuarit ndër të cilët ka shumë emra të njohur, duke filluar nga ish-kryeministri i vendit, ish-ministra dhe funksionarë të shtetit deri në afaristë të njohur, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Gjatë dy muajve të parë të vitit janë caktuar mbi 30 seanca gjyqësore. Pas festave, të parët që duhet të shfaqen në gjykatë janë ish-ministrja Gordana Jankullovska, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe shtatë të akuzuar tjerë në rastin e përgjimit masovik të paligjshëm, në lëndën “Shënjestra dhe Fortesa”.
Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski do të dalë në gjykatë për katër lëndë të PSP-së. Përveç lëndëve të deritanishme “Dhuna në Qendër” dhe “Trajektorja”, në janar fillojnë edhe gjykimet për lëndën “Tank” që ka të bëjë me Mercedesin me vlerë 600 mijë euro, të blerë gjatë qeverisjes së tij dhe “TNT” për rrënimin e Kosmos, ndërsa edhe më tej pritet vlerësim në lidhje me akuzën e pestë kundër tij, që është lënda “Titanik” për parregullsitë zgjedhore.
Pas ndryshimit të gjykatësve nga ana e kryetarit të ri të Këshillit gjyqësor, proceset gjyqësore do të rifillojnë dhe ekspertët presin që sallat e gjyakatave të jenë skenë për argumente ligjore dhe të mos ketë shtyrje të seancave si deri më tani.
Por, përveç lëndëve të PSP-së, gjyakës të ri do të ketë edhe për lëndën “Ryshfeti” kundër kryeministrit aktual Zoran Zaev, lëndë që tanimë 2 vite qëndron në pozitë fillestare për shkak të anulimeve. Gjykatësi i ri i kësaj lënde duhet të vendosë nëse do të pranojë që inçizimet nga masat e veçanta hetimore si dëshmi në procesin gjyqësor.
Viti 2018 është vit kyç për gjyqësinë në Maqedoni për shkak të reformave të shumta që janë paralajmëruar në Planin 3-6-9 dhe Strategjinë për gjyqësinë, të cilat dalin nga raportet ndërkombëtare dhe vërejtjet shumëvjeçare për funksionimin e gjyqësisë në vend./Telegrafi/