Në muajin shkurt 122.502 persona fizik dhe juridik kanë qenë me llogari të bllokuara, tregojnë të dhënat nga Banka popullore, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Qytetarët më shpesh ballafaqohen me llogari të bllokuara, për shkak të mos pagesës në kohë të llogarive, TRD dhe kësteve të kredive. Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i qytetarëve dhe kompanive të bllokuara është më i madh pothuajse për 23.000 llogari. Ka ulje, nëse analizohen shifrat në nivel mujor, por krahasuar me fundin e vitit të kaluar, ose për dy muaj lista e numrit të përgjithshëm të llogarive të bllokuara është zgjeruar gati se me 1000 persona të bllokuar fizik dhe juridik.
Në të njëjtën periudhë në shkurt, numri i llogarive të bllokuara në posedim të qytetarëve dhe kompanive ka qenë gati se 260.000, prej të cilëve pothuajse 70.000 janë llogari të bllokuara të firmave, ndërsa mbi 182.000 janë llogari të bllokuara të qytetarëve.
Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2015, numri i llogarive të bllokuara është zmadhuar për rreth 41 mijë.
Sipas ndryshimeve të reja ligjore, përmbaruesi nuk do të mund të bllokojë llogari pa paralajmërim paraprak, respektivisht pa njoftim me shkrim të obliguesit dhe kërkesë për pagesë të borxhit në afat prej tre ditësh. Ndryshimet duhet të dalin në mbrojtje të kategorive të cenueshme të qytetarëve, ndërsa parashihet edhe pagesë jashtë-gjyqësore e borxheve, si dhe shkurtim i afatit të shitjes së patundshmërive. /Telegrafi/