Çmimet e ngrira të ushqimeve bazë do të vazhdojnë të mbeten në fuqi deri në fund të shkurtit. Këtë e ka konfirmuar për “Alsat” ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili tha se vendimi tashmë është marrë dhe do t’i propozohet Qeverisë për shqyrtim.
Çmimet e ngrira do të vlejnë për të njëjtat produkte që në dhjetor vendosi Qeveria që të mbeten të pandryshuara.
“Sot sektori i tregtisë në Ministrinë e Ekonomisë ka marrë vendim ku ne do t’i propozojmë Qeverisë që vendimi i mëparshëm për ngrirjen e çmimeve të vazhdojë deri në fund të shkurtit, që do të thotë se, si Ministri e Ekonomisë propozojmë vendim që të vazhdojë masa për ngrirjen e produkteve bazë që ishin në dhjetor”, tha Kreshnik Bekteshi- ministër i ekonomisë
Kjo do të thotë se në muajin shkurt çmimet e bukës, sheqerit, miellit, vajit, qumështit, mishit të freskët, produktet e mishit të thatë, djathit, gjizës, vezëve, orizit dhe pastave do të mbeten të njëjta. Vendimi për ngrirjen e çmimeve të produkteve është marrë nga Qeveria në dhjetor pasi Enti Shtetëror i Statistikave kishte regjistruar rritje të çmimeve të produkteve./Alsat/