Telegrafi

Maqedoni: Lëvizja Antibixhoz paralajmëron protesta nëse nuk mbyllen lojërat e fatit

Lëvizja Antibixhoz paralajmëron protesta para Kuvendit, për shkak të Ligjit ekzistues për lojërat e fatit. Kjo Lëvizje kërkon nga partitë politike që ta mbajnë fjalën e dhënë dhe t’i largojnë kazinotë e bastoret 1.5 kilometra nga objektet e interesit publik.

“Atë ditë kur do të kuptojmë ne si Lëvizje se Parlamenti është i gatshëm të votoj këtë ligj, ne do të protestojmë para Kuvendit dhe nëse do sigurojmë ca makina bixhozi njërën do ua dërgojmë në Kuvend dhe ca do i derdhim para selive të partive, që t`iu tregojmë se kumarxhinjtë më të mëdhenj të vendit i kemi pikërisht në Kuvendt dhe parti politike”, deklaroi Nuhi Gania nga Lëvizja Antibixhoz.

Ndërsa Jushi Emërllahu iu bëri thirrje liderëve të subjekteve politike që të qëndrojnë në premtimet dhe zotimet që i dhanë Lëvizjes Antibixhoz.

“Kërkojmë mbyllje të gjitha objekteve të lojërave të fatit, sikurse në Shqipëri dhe Kosovë, deri në sjelljen e një ligji të mirëfilltë”, tha Jushi Emërllahu.

Ditëve në vazhdim, përfaqësuesit e Lëvizjes Antibixhoz, pritet të realizojnë takime edhe me drejtuesit e partive politike dhe deputetët.