Telegrafi

Maqedoni, ku shkuan 500 milionë eurot e Konferencës së Donatorëve

Mungesa e investimeve, mospërkrahja dhe zhvillimi ekonomiko-social, revitalizimi i improvizuar dhe papunësia e skajshme kërkojnë shpjegime dhe revizion se ku shkuan fondet e BE-së, SHBA-ve dhe vendeve tjera nga Konferenca Donatore e marsit të vitit 2002, për rajonet e krizës që dolën nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni.

Më 12 mars të vitit 2002 në Konferencën Ndërkombëtare Donatore në Bruksel, Maqedonia përfitoi mbi 500 milionë euro për përmirësimin e gjendjes pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Nga këto fonde të përfituara, 307 milionë euro ishin mjete financiare që menjëherë shkuan në llogarinë e shtetit, prej të cilave 185 milionë ishin paraparë për mbështetjen e bilancit pagesor në buxhet, që do të thotë para për rroga, pagesa dhe mbulim të zbrastirave të buxhetit, 85 milionë euro për rikonstruimin e objekteve të rrënuara nga lufta dhe 49 milion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit shkruan Ina.

Qeveria e Maqedonisë atëherë në kërkesën e saj kishte kërkuar vetëm 50 milionë euro për revitalizim dhe rindërtim, ndërsa 24.5 milionë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo BE dhe SHBA-të dyfishuan buxhetin për këto dy çështje. Përveç kësaj, në Konferencën Donatore mbi 271 milionë euro u siguruan për mbështetjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, të komunave, kryesisht të dëmtuara nga konflikti.

Qeveritë dhe institucionet në Maqedoni edhe dhjet vite më pas, por edhe zyrat e evroperëndimore nuk kërkuan asnjëherë llogari apo revizion të plotë lidhur me harxhimin e këtyre fondeve, sidomos 85 milionë euro për revitalizimin dhe rindërtimin e zonave, 49 milion eurot për Marrëveshjen e Ohrit si dhe 271 milionë euro për zhvillimin dhe revitalizimin ekonomik rajonal në Maqedoni, por që ishin paraparë me theks të veçantë zonat e goditura, ndër të cilat komuna e Likovës, e rrënuar në përmasa të mëdha, Haraçina, dhe vendbanime të rajonit të Pollogut që u përfshin drejtpërdrejt në konfliktin e vitit 2001. /Telegrafi/