Site icon Telegrafi

Maqedoni: Kompanitë do të marrin ndihmë nëse sërish i kthejnë punëtorët e larguar

Bashkëshortët Dimitrievski erdhën në Agjencinë për Punësim për t’u paraqitur si të papunë. Ata janë vetëm një rast nga mijëra qytetarë të cilët për shkak të koronavirusit pronarët i kanë larguar nga puna dhe tashmë kanë mbetur në rrugë. I brengosur për ardhmërinë e tij dhe të fëmijëve të tij, Dimitrievski na rrëfeu për gjendjen e rëndë në të cilën gjendet për shkak të pandemisë me koronavirus.

“Dje me bashkëshorten ishim lëshuar nga puna. Për shkak të virusit, na skadoi marrëveshja. Kemi shumë probleme. Unë jam njeri familjar me 3 fëmijë, unë dhe bashkëshortja. Na larguan nga puna. Jetë e vështirë, nuk e di çka do të ndodhë”, tha Sasho Dimitrievski, qytetar i papunë.

Pa asnjë mbështetje dhe ndihmë nga pronarët, të dy ishin të detyruar t’i nënshkruajnë vendimet për largim nga puna.

“Asgjë nuk na ndihmuan. Shkuam në punë, na thanë – nënshkruani këtu, nënshkruani atje dhe hajde mirupafshim. Kaq”, tha Sasho Dimitrievski, qytetar i papunë.

Dimitrievski shpreson se së shpejti përmes Byrosë për Punësim do të marrë ndihmë nga shteti.

“Në firmën ku punoja më thanë të shkojmë në Byro për Punësim dhe mbi bazë të stazhit pune mund të marrim ndonjë ndihmë. Në vendin pune të fundit, punova 3 vjet. Kjo situatë me virusin doli papritmas. Nëse në të vërtetë ka ndonjë virus, unë nuk e di këtë, por sigurisht se të gjithë e pësojmë”, tha Sasho Dimitrievski, qytetar i papunë.

Punë patjetër duhet të ketë, nëse duam të mbijetojmë, thotë Dimitrievski.

“Nëse nuk ka punë, nuk mund të mbijetojmë. Në shtëpi fëmijët kërkojnë ushqim, shkojnë në shkollë. Është shumë e vështirë në këtë shtet”, tha Sasho Dimitrievski, qytetar i papunë.

Edhe bashkëshortja e tij ka mbetur pa punë, shkaku i koronavirusit.

“Edhe bashkëshortja ime mbeti pa punë. Ishte në një vend, pastaj shkoi të punojë në vend pune tjetër. Për shkak të virusit, gjithçka ngeci”, tha Sasho Dimitrievski, qytetar i papunë.

Këshilltari special i kryeministrit në Qeveri, Fatmir Bytyqi, në konferencën e sotme theksoi se me Dekretin e ri, kompanitë që i kanë lëshuar nga puna të punësuarit e tyre, do të mund sërish t’i kthehen dhe me këtë ta shfrytëzojnë ndihmën që e ofron shteti.

Dekreti për ndihmë financiare për pagesë të rrogave, mundësoi që kompanitë të cilat prej 11 marsit deri në fund të prillit kanë lëshuar nga puna një numër të caktuar punëtorësh, tani mund t’i kthehen dhe në këtë mënyrë t’i shfrytëzojnë përfitimet e kësaj mase. Kjo u jep mundësi punëtorëve të cilët në valën e parë të krizës i kanë humbur vendet pune, tani sërish të kthehen në pozicionet e tyre”, tha Fatmir Bytyqi, këshilltar i kryeministrit në Qeveri.

Sipas të dhënave të institucioneve kompetente, numri i të papunëve në mars është rritur për 2.000 persona, kurse në prill për 7.000 veta shtesë. Vetëm për dy muaj, për shkak të koronavirusit pa punë kanë mbetur rreth 9 mijë njerëz./TV21/

Exit mobile version