Site icon Telegrafi

Maqedoni, Komisioni për qasje të lirë bëhet Agjenci

Komisioni për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik me propozim-ligjin e ri për qasje të lirë në informacione me karakter publik bëhet Agjenci. Kryetari i këtij Komisioni, Blerim Hyseni, thotë se me shndërrimin e Komisionit në Agjenci, do kenë të drejtën edhe të inspektimit dhe shqiptimit të dënimeve.

“Komisioni nga një trup prej pesë anëtarësh (kryetar, zv/kryetar dhe 3 anëtarë), shndërrohet në Agjenci me drejtor dhe zëvendësdrejtor. Si posedues të informacioneve me karakter publik trajtohen edhe partitë politike, që nënkupton se edhe nga ato mund të kërkohet informata me karakter publik. Do të ketë të drejtë inspektimi nëpërmjet inspektorëve të Agjencisë. Në rast se nuk zbatohen vendimet e Agjencisë, ka të drejtë të shqiptimit të dënimeve për poseduesit e informatave me karakter publik”, deklaroi për gazetën “Koha”, Blerim Hyseni, kryetar i Komisionit për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik.

Drejtorin dhe zëvendësdrejtori, sipas Ligjit, për punën e tyre japin llogari para Parlamentit, i cili po ashtu bën edhe emërimin, gjegjësisht zgjedhjen e tyre. Partitë e shumicës parlamentare madje janë marrë vesh që njëri nga këto dy poste t’i takojë një përfaqësuesi shqiptar. Propozim-ligji bazohet në parimet e ligjshmërisë, profesionalitetit, përgjegjësisë, llogaridhënies dhe transparencës. Ky ligj, po ashtu rregullon edhe mënyrën dhe procedurën për arritjen e të drejtës për qasje të lirë deri të informacionet me karakter publik me të cilat disponojnë organet shtetërore dhe organizata tjera të përfshira në ligj, komunat, Qyteti i Shkupit dhe komunat urbane, institucionet dhe shërbimet publike, ndërmarrjet publike, persona fizik dhe juridik që ushtrojnë autorizime publike të përcaktuara me ligj, si dhe veprimtari me interes publik, partitë politike në pjesën e të ardhurave etj.

Me këtë ligj, sipas Ministrisë së Drejtësisë si propozuese, sigurohet hapje dhe përgjegjësi në punën e bartësve të informacioneve me karakter publik dhe u mundësohet personave fizik dhe juridik që të kenë qasje të lirë në informacionet me karakter publik. Sipas ligjit, bartësit e funksioneve publike obligohen që të sigurojnë informacione për opinionin. (koha.mk)

Exit mobile version