Telegrafi

Maqedoni, gjatë javëve të ardhshme pritet miratimi i Strategjisë për reforma në administratën publike

Strategjia për reforma në administratën publike duhet të miratohet gjatë disa javëve në vazhdim, paralajmëroi Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp tha se në suaza të kësaj strategjie do të zgjidhet edhe çështja e të punësuarve në administratën publike, të cilët pranojnë pagë mujore, por nuk shkojnë në punë.

“Në Kuvend janë miratuar amedamente të cilët hapin rrugën për zgjidhjen e kësaj çështje, gjegjësisht këta të punësuar në administratën shtetërore të sistemohen edhe në sektorin publik, tha Mançevski.

Për konkurset e shpallura për plotësimin e vendeve te të cilat përfundon mandati i kryerësve të emëruar të funksionit, ministri tha se do të zbatohen në pajtim me Ligjin aktual për administratë publike.

“Ndryshimet në Ligjin për nëpunësit e administratës tashmë janë miratuar në Kuvend, por është e nevojshme të harmonizohen me mbi 120 ligje tjera”, tha Mançevski/Telegrafi/