Pacienti nga Strumica i hospitalizuar në Klinikën Infektive për shkak të komplikimeve nga Ethet e Nilit Perëndimor, e cila transmetohet nga mushkonjat, është në gjendje stabile shëndetësore, informon drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana. Thekson se është rasti i pestë i regjistruar në vend, pacienti nuk ka udhëtuar jashtë vendit.
“Për momentin pacienti është në gjendje stabile, me vetëdije, është ende i hospitalizuar tek ne në Klinikë. Pacienti nuk ka ndonjë dëmtim neurologjik edhe pse rezultatet për Ethet e Nilit Perëndimor nga Instituti i Shëndetit Publik, edhe nga serumi, si dhe nga lëngu cerebrospinal, janë pozitive. Ne, pacientin klinikisht e shërojmë nga një tjetër sëmundje, sesa nga sëmundja e konstatuar laboratorike. Atë që e pash unë dhe e vizitova pacientin është në gjendje stabile, me vetëdije, i orientuar. Sipas informatave tona, pacienti është fermer nga një fshat i Strumicës dhe vitin e fundit askund nuk ka udhëtuar jashtë vendit. Në pjesën ku ai ka lëvizur ka mjaftë mushkonja dhe është kafshuar nga ndonjë insekt.”, – deklaroi drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana.
Cana këshillon qytetarët, që në rast të simptomave apo të rritjes së temperaturës, së pari të vizitojnë mjekun amë në kohë dhe të bëjnë kontroll dhe analiza në detaje. Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve, në 15 shtete evropiane, përfshirë edhe Maqedoninë, këtë vit janë konfirmuar 715 persona të infektuar pas kafshimit të mushkonjave, ndërsa 51 pacientë kanë vdekur për shkak të komplikimeve nga infeksioni. Sëmundja nuk transmetohet nga personi në person dhe periudha e inkubacionit është nga 3 deri në 14 ditë.