Site icon Telegrafi

Maqedoni: Ende asnjë hap për transferimin e “Grupit të Kumanovës”

Dy nga të burgosurve e rastit “Lagja e Trimave” janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Të njëjtit nga dje po kërkojnë mjekim dhe trajtim shtesë, tregojnë për “TV21″ familjarët e tyre. Kjo për shkak se ata rreth dy javë janë në grevë urie, e kërkesat e tyre nuk po merren parasysh. Se gjendja e tyre po përkeqësohet e konfirmoi edhe zv/drejtori i burgut të Shutkës, Sadush Arifi.

“Dita ditës gjendja e tyre vjen duke u rënduar. Ne e mbikëqyrim situatën dhe ju dërgojmë mjek, nëse ka nevojë edhe ndihmën e shpejtë e dërgojmë, menaxhojmë me situatën sa mundemi por dihet greva e urisë e bën të veten dhe gjendja shëndetësore vjen duke u rënduar”, deklaroi Sadush Arifi – zv. drejtor në Burgun e Shutkës.

Nga Drejtoria për zbatimin e Sanksioneve nuk deklarohen në lidhje me çështjen. TV21 disa herë ka kërkuar sqarim se deri ku është procedura për transferimin e të dënuarve nga “Lagja e Trimave”, por drejtori Marjan Spasovski nuk na është përgjigjur. Arifi thotë se kanë dorëzuar kërkesë në këtë drejtori por ende nuk kanë përgjigje.

“Ne kemi bërë punën tonë, kemi dërguar kërkesat për transferim në Drejtorinë për ekzekutim të sanksioneve por ende nuk kemi përgjigje as për t’i transferuar as për të mos i transferuar. Deri tani nga ana e tyre, përveç ditëve të para nuk është ndërmarrë asnjë gjë në këtë drejtim”, shtoi Sadush Arifi.

Të dënuarit e rastit “Lagjja e Trimave” pritet që më 23 maj të transferohen nga burgu i Shkupit në atë të Idrizovës. Avokati, Naser Raufi për TV21 tha se kjo datë është afati i fundit kur ata do të presin që të marrin përgjigje pozitive për kërkesat e të burgosurve. Në të kundërt, ai paralajmëron se do të paraqesin padi penale për personat përgjegjës që kanë penguar realizimin e benefiteve.

“Nuk jemi të sigurt me burgjet tona dhe këtë gjyqësor. Por, mendoj se nëse nuk respektohet ky afat ne do të ndërmarrim masat tona. Ashtu kemi marrëveshje edhe me klientin tim që të ketë edhe padi penale për personat që mendojmë se e kanë bërë këtë problem”, deklaroi Naser Raufi, avokat i rastit.

Ndërsa Avokati i Popullit Naser Ziberi ka deklaruar se këto të drejta dhe benefite nuk guxohet t’i kufizohen të dënuarve me pretekstin se janë në burgun e Shutkës.

Ndryshe, me këtë transferim pritet që këta të dënuar të gëzojnë benefitet që u takojnë, e që në burgun ku deri tani po vuajnë dënimin ekziston pengesë juridike që pamundëson realizimin. Ato janë vizita të hapura dhe fundjava të lira./TV21/

 

Exit mobile version