Site icon Telegrafi

Maqedoni, edhe Gjykata e Apelit do të blejë makinë luksoze

Gjykata e Apelit në Shkup planifikon të shpenzojë 27 mijë e 560 euro për blerjen e makinës së re. Shpallja është publikuar në Byronë për Furnizime Publike. Gjykata nuk ka kursyer në nivelin e pajisjeve që duhet t’i ketë automobili. Sipas dokumenteve të tenderit, automobili duhet të ketë të paktën 187 kuaj fuqi, të ketë ngjyrë metalike dhe të arrij shpejtësinë prej 0 deri në 100 km në vetëm 8.5 sekonda. Mes karakteristikave që i kërkon gjykata, automobili duhet të ketë timon lëkure me komanda audio, sensor shiu dhe pajisje të tjera.

Veç kësaj, Gjykata e Apelit kërkon që automobili të cilin do e blejnë duhet të ketë forcë lëvizëse në të katërta rrotat ose siç quhet ndryshe 4×4. Qëndrim rreth kësaj kërkuam nga kryetarja e kësaj gjykate Lidija Dimçevska për ta sqaruar nevojën për një automobil të këtillë, por nuk morëm përgjigje.

Përveç Gjykatës së Apelit në Shkup, me blerjen e automobilave të rinj janë angazhuar më shumë gjykata në vend. Alsat tashmë informoi se në listën e blerësve të automobilave janë edhe gjykatat në Veles dhe Shtip. Ato janë më modeste dhe planifikojnë të shpenzojnë vetëm nga 13 mijë euro. Por Gjykata Administrative dhe Gjykata e Apelit në Gostivar, nuk janë edhe aq modeste. Ato do shpenzojnë nga 27 mijë euro për automobila të ri. Parkun vozitës e rinoi edhe gjykata e Tetovës duke blerë makinë të re në vlerë prej 19 mijë euro./Alsat/

Exit mobile version