Telegrafi

Maqedoni, dyshime për përmbajtjen e marrëveshjes mes Qeverisë dhe kombinatit Jugohrom

Marrëveshja mes Qeverisë dhe drejtuesve të kombinatit Jugohrom, e arritur javë më parë vazhdon të mbahet e fshehtë. Organizatat ekologjike reagojnë ndaj heshtjes nga ana e Qeverisë por edhe drejtuesve të kombinatit duke paralajmëruar se nuk do të pranojnë rifillimin e punës pa vendosjen e filtrave.

“Deri në këtë moment nuk kemi asnjë informacion se çfarë është ai memorandum për mirëkuptim. E dimë që nuk është ndonjë akt juridik detyrues por thjeshtë një memorandum midis dy subjekteve. Besoj që e din edhe vet Skenderovski se kjo nuk është e mundur të realizohet sepse nuk është aq e thjeshtë është proces i komplikuar që në disa vende merr edhe dy vjet kohë”, deklaroi Arianit Xhaferi, Eco Guerilla.

E vetmja gjë që thonë nga Sindikata e Punëtorve të Jugohromit është se kombinati do vazhdojë punën me vendosjen e filtrave. Ata kërkojnë që sa më shpejt të kthehen në vendin e punës.

Sot i mbushim një vit që nuk punon Jugohrom por për fat të mirë ky një vjetor do bëhet me nënshkrim të një marrëveshjeje pozitive që do nënshkruhet nesër apo pasnesër pra për sistemin e filtrimit, dhe është punë e kryer ajo dhe të fillojë me punë për filtrat. Nga këtu apeloj Qeverisë dhe drejtorisë së Jugohromit që t’i shpejtojnë punët

Ndërkohë të pyetur në Qeveri për përmbajtjen dhe detajet e kësaj marrëveshjeje, nuk kanë pranuar të flasin. “Për këtë temë duhet të përgjigjet kompania sepse është temë e ndjeshme dhe është temë për të cilën ende po punohet”, është përgjigjur me këtë rast Boshnjakovski

Siç mëson Alsat nga burime brenda Qeverisë, sot që nga ora 12, drejtori i Jugohromit deri në orët e pasdites ka qenë në takim në Qeveri, pikërisht për marrëveshjen në fjalë. Ndotja në Tetovë që pas mbylljes së Jugohromit, është zvogëluar mbi 50 për qind./Telegrafi/