Telegrafi

Maqedoni, dy kandidatët më serioz për Kryeprokuror shtetëror

Qeveria as nuk i konfirmoi, po as nuk i përgënjeshtroi informacionet jozyrtare se Këshilli i Prokurorëve Publik ka dorëzuar mendim pozitiv vetëm për dy nga 23 kandidatët e paraqitur për prokurorë të ri. Përgjigjen e vetme që e morëm nga ky institucion ishte se propozimet e Këshillit do të shqyrtohen në seancë, por pa saktësuar se kur do të ndodhë kjo.

Jo-zyrtarisht përmenden emrat e profesoreshës Elena Andreevska dhe anëtarit aktual të Këshillit, Lubomir Jovevski, për të cilin në qarqet e Prokurorisë konsiderohet si kandidati më serioz për këtë post. As kryetari i Këshillit, Kole Shteriev nuk zbuloi emrat për të cilët këshilli ka dhënë vlerësim pozitiv. Në një bisedë për Alsat M, Shteriev u shpreh se çdo informatë jashtë njoftimit të tyre është spekulim, pa i komentuar emrat e kandidatëve që përmenden në opinion dhe për të cilët është dhënë mendim pozitiv. Mbetet e paqartë pse vetëm dy kandidatë kanë hyrë në rrethin më të ngushtë për prokuror, përkatësisht nëse kandidatët e tjerë nuk i plotësojnë kushtet e konkursit ose nuk kanë marrë mendim pozitiv për shkak të dokumentacionit të paplotësuar. Para tre ditëve, Këshilli njoftoi se për kandidaturat e shqyrtuara janë dorëzuar vlerësime me shkrim në “Ilindenska numër 2”.

Tashmë një kohë të gjatë në opinion si favorit për prokuror publik përmendet Lubomir Jovevski, i cili është edhe anëtar i Këshillit të Prokurorëve. Tani mbetet që Qeveria në seancë t’i shqyrtojë kandidaturat dhe mendimet e Këshillit dhe të merr vendim për njërin nga kandidatët. Më pas, vendimi dorëzohet në Kuvend si propozim- vendim, ndërsa njëkohësisht dorëzohet edhe mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publik. Për emërimin e Prokurorit Publik, Kuvendi vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votave. Pas shkarkimit të Marko Zvërlevskit, deri në emërimin e prokurorit të ri me këtë post udhëheqë prokurorja Liljana Spasovska./Telegrafi/