Sipas anketës së ‘Detektor’ që e ka zbatuar Instituti për Hulumtime Politike Shkup gati dy e treta e qytetarëve nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet mujore me të hyrat e tyre.
Në pyetjen nëse jetojnë më mirë tani apo para pesë viteve, 33.5% e qytetarëve thonë se më herët kanë kaluar më mirë, 32.3% nuk shohin ndonjë dallim ndërsa 23.7% e të anketuarve thonë se jetojnë më mirë në krahasim me pesë vitet e kaluara, njofton Telegrafi Maqedoni.
Sipas hulumtimit, thuajse 40% e qytetarëve gjysmën e buxhetit të tyre mujor e shpenzojnë në ushqim ndërsa sipas shumicës së qetarëve, që të përmbushen nevojat për një familje katër anëtarëshe nevojiten prej 30 deri 35.000 denarë. Qëndrim të tillë kanë 38.5% e të anketuarve, dhe vetëm 5.2% e të anketuarve mendojnë se të nevojat për një familje katër anëtareshe mund të përmbushen me më pak se 20.000 denarë.
Rritja e pagës në sektorin publik, sipas qytetarëve të anketuar duhet të ndodhë së pari në shëndetësi, në arsim dhe në administratë publike ndërsa përqindja më e vogël shkon për policinë, ushtrinë dhe të punësuarit në sistemin gjyqësor./Telegrafi/