Ndër qindra profesionet me rrezikshmëri të lartë në Maqedoninë e Veriut janë nga xehetarët deri te balerinët, por gazetarët mbeten jashtë kësaj liste. Megjithëse të ekspozuar ndaj rrezikut gjatë përpjekjes për të informuar opinionin, gazetarët gjithmonë mbeten nën hije të vëmendjes së shoqërisë. Madje, lajmëtarët ndodh shpesh që në terren të bëhen vetë lajmi, nga sulmet ndaj tyre.
Këto janë vlerësimet e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve në Media, nga ku thonë se në Ligjin e ri të Fondit Pensional që pritet Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ta propozoj vitin e ardhshëm, gazetarët duhet të gëzojnë edhe statusin për stazh me përfitim dhe dobi të tjera.
” Ekziston optimizmi të ndryshohen dispozitat, për të cilat punojnë ekspertë nga Banka Botërore që për momentin e analizojnë situatën në vend. Vitin e ardhshëm do të ofertojnë modalitete dhe zgjidhje, ku ne mund të marrim masa për tu kyçur në benefitet e profesionit tonë në ndryshimin e ligjeve aktuale dhe në miratimin e ligjeve të reja”, tha Pavle Bellovski, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve në Media.
Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë thonë se arritja e stazhit me përfitim kërkon kohë dhe angazhim të madh nga institucionet dhe shoqëria civile, por nënshkrimi i kontratave kolektive është metoda më e lehtë për të përmirësuar kushtet në punë. Sipas drejtorit të SHGM Dragan Sekullovski, ligji aktualisht nuk është në favor të gazetarëve në çështjen e sigurisë e as të ardhurave materiale.
“SHGM së bashku më Sindikatën ka një iniciativë për të ndryshuar Kodin Penal në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ku gazetarët dhe kameramanët do të përfitojnë një status të posaçëm. Ku sulmi ndaj ekipeve të mediave do të llogaritet si sulm ndaj personave zyrtarë që do të thotë se Prokuroria sipas detyrës zyrtares do t’i ndjek sulmuesit kurse dënimet do të jenë shumë më të mëdha”, pohoi Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i SHGM-së.
Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë thonë se në 5 vitet e fundit janë regjistruar 60 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve në media, prej të cilave vetëm dy janë zbardhur. Vetëm më 27 prill 2017 në ngjarjet e dhunshme në Kuvend, fizikisht janë lënduar 19 gazetarë dhe kameramanë, prej të cilëve asnjë nuk është dëmshpërblyer, thotë Sekullovski, kurse traumat mbeten të padiskutueshme.
Nga mijëra gazetarë të anëtarësuar në SHGM, vetëm dhjetëra janë të pensionuar, shifra të cilat sipas tyre, stresi dhe rreziku në punën delikate, kanë bërë që gazetarët të heqin dorë nga profesioni i tyre./alsat/