Drejtori Ejup Rustemi një ditë më parë ishte në udhëtim zyrtar përderisa dhjetëra postierë protestuan para selisë qendrore në Shkup. Sot, në prani të mediave drejtori iu tha se të punësuarit e Postës me kontratë në vepër do të kenë mundësi të aplikojnë për konkursin e hapur për 80 vende të reja të punës. Pesë përkthyes sipas Ligjit të gjuhës shqipe dhe 75 të tjerë nëpër sportele të të gjitha postave në vend. Ai nuk iu premtoi, por tha se përparësi kanë ata që kanë dhënë kontribut të mëparshëm në Postë.
“Unë nuk mund të them se të gjithë, se këta janë 249 a 75 vende janë të lira, që të jap fjalën se të gjithë do të punësohen përsëri nuk mund t’i punësoj të gjithë. Është fakt se këtyre punëtorëve nuk u paguhen kontributet, nëse nuk vijnë në punë nuk marrin rrogë sepse paguhen në bazë të numrit të dërgesave- deklaroi Ejup Rustemi, Drejtor i Postës.
Rustemi tha se të punësuarit me kontratë në vepër do të marrin vendim vetëm atëherë kur Posta nuk del me humbje vjetore. Një ditë më parë 63 të punësuarit firmosën iniciativën, ku përveç tjerash kërkuan që t’u kthehen atyre pagat e mëparshme prej 18 mijë denarëve. Postieri Surhan Fazliu thotë se mos pagesa e kontributeve i ka dëmtuar shumë.
Ju thatë që posta është në minus me financat! Unë që e kam parapa një analizë që jam i punësuar prej 5 vitesh ose 60 muaj. Sikur të më kishit lajmëruar në Fondin Pensional do të paguanit minimum 100 euro që po t’i llogarisësh bëjnë 6 mijë euro për person. Këto para që nuk i ka shpenzuar Posta. Nëse shumëzojmë kontributet e këtyre 249 persona arrijnë shumën mbi 1 milion euro, para që i ka kursyer posta, kurse në anën tjetër ju thoni se posta është në humbje?!- tha Surhan Fazliu, Postier.
Drejtori Rrustemi tha se 249 postierët me kontratë në vepër të punësuar sipas Ligjit për shërbim të komunikacionit postar, arrijnë pagën 15 mijë denarë sipas angazhimit të tyre. Ulja e pagave për 3 mijë denarë thotë se është bërë për shkak të humbjeve të shumta, që në dy vitet paraprake ishin minus 100 milion denarë. Rrustemi thotë se telashet financiare i ka trashëguar edhe pse në këtë post ai ka qenë edhe më herët, përkatësisht nga viti 2008 deri në 2011. Aktualisht në Postën e Maqedonisë ka të punësuar 2200 persona me vendime pune./alsat/