Në një prej publikimeve të datës 1 shtator, stomatologu dhe ndihmësi i tij do të paguhen jo vetëm në kufirin e pagës minimale, por edhe në shuma të njëjta – 10.080 denarë. Gati e njëjta shumë ofrohet edhe për pozicionin “mjek i përgjithshëm”. Absurdi është në një tjetër lajmërim, ku një institucion tjetër privat i shëndetit paguan 20 mijë denarë për një vend pune “pastrues”. Një tjetër ofertë qesharake është për profesionin e farmacistit, ku punëdhënësi është në kërkim të një farmacisti-magjistër, që do të paguhet me 11 mijë denarë, njofton Koha.mk.
Rezultatet nga kërkimi për një vend pune në shërbimin elektronik të Agjencisë së Punësimit janë zhgënjyese, sidomos nëse kërkuesi është një mjek, stomatolog, farmacist, inxhinier ndërtimi, mjedisi apo programues. Paga mujore që ofrohet për ta, ose të paktën ajo që deklarohet publikisht nga punëdhënësi – është vetëm 80 denarë më shumë sesa paga minimale në shtet dhe jo më e lartë sesa 11 mijë deri në 17 mijë denarë.
Në disa prej njoftimeve më të fundit për vende të lira pune në Qytetin e Shkupit nga subjekte private si kompani, institute kërkimi, vendase e të huaja, me disa përjashtime vërehet se kërkesat për punësim i trajtojnë në forma thuajse të njëjta të gjithë punëmarrësit, qoftë për kohëzgjatjen e kontratës së punës, numrit të orëve, por mbi të gjitha – nivelit të pagës mujore, që në rast se nuk tingëllojnë qesharake, janë tepër denigruese për profesione të tilla si mjek, inxhinier e të tjera.
Format abuzive që përdorin një pjesë e mirë e kompanive shpjegojnë edhe numrin e madh të personave të regjistruar si të papunë, ose të atyre që janë në kërkim të një vendi pune, që lidhen me profesionet që në lajmërimet e punës janë më të keqpaguarat. Por edhe të numrit të madh të mjekëve që largohen jashtë vendit. Nga ana tjetër, paga të këtilla rrjedhimisht vënë në pikëpyetje edhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen nga një klinikë, apo ordinancë private, ku stomatologu dhe ndihmësi i tij do të paguhen jo vetëm në kufirin e pagës minimale, por edhe në shuma të njëjta (10.080 denarë). Ky është një prej publikimeve të datës 1 shtator, por edhe në një lajmërim të disa ditëve më parë – paga për një stomatolog arrin deri në 11.335 denarë.
E njëjta shumë ofrohet edhe për pozicionin “mjek i përgjithshëm”. Absurdi është në një tjetër lajmërim, ku një institucion tjetër privat i shëndetit paguan 20 mijë denarë për një vend pune “pastrues”. Një tjetër ofertë qesharake është për profesionin e farmacistit, ku punëdhënësi është në kërkim të një farmacisti – magjistër që do të paguhet me 11 mijë denarë. Shëndetësia në Maqedoni ka marrë një grusht të fortë denigrues, pasojat e së cilës i ndjejmë edhe sot, e me siguri edhe në një të ardhme të afërt, shprehet Bekim Tateshi, oftalmolog. “Momenti i dytë kritik është hapja e spitaleve private me kapitale të dyshimta, të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore të njëjta me spitalet publike, bile në disa raste – të mbuluara nga Fondi Shëndetësor.
Prej këtij momenti, Maqedonia më nuk mund të jetë shtet social, ku mbrojtja shëndetësore nuk është e njëjtë për të gjithë shtetasit. Spitalet private duhet të jenë Spitale speciale për shërbime, të cilat nuk i mbulon Fondi. Hapja e këtyre institucioneve e dobësoi shumë shëndetësinë publike edhe në aspekt të kuadrit. Nuk ka repart që nuk ka deficit të kuadrit në çdo nivel që reflektohet në punën e përditshme. Nuk ka qytet ku nuk ka objekte shëndetësore të vjetruara prej kohës të ish-Jugosllavisë ku ofrohen shërbime shëndetësore me kushte afrikane”, thotë Tateshi.
Sipas tij, krejt këto gjëra ndikuan të hapet një hendek artificial midis mjekëve dhe pacientëve e familjarëve të tyre në anën tjetër, pra dy palë të pakënaqur jo me fajin e tyre. “Pacientë jo të kënaqur me shërbimet dhe staf jo i kënaqur nga statusi dhe rrogat. Shëndetësia është luftë për shëndet e jo luftë për poenë politikë. Edhe stafi mjekësor janë njerëz dhe pacientë potencial. Jemi dëshmitarë të disa shpalljeve publike, ku rroga e ofruar për mjekë është e barabartë me ato të pastruesve dhe mekanikëve që automatikisht shkakton pakënaqësi dhe pasiguri. Edhe unë jam ithtar i luftës pa kompromis kundër mitos dhe veseve jo të hijshme që mund të hasen nëpër spitale, por me pak vullnet dhe punë ekipore – çdo gjë është e arritshme”, thotë Tateshi.
Pagat e ulëta që ofrohen për mjekë dhe që janë disa mijë denarë më të ulëta sesa ato të një shpërndarësi, sistemuesi raftesh, kamerieri, magazinieri, pastruesi apo shitësi – nuk janë të vetmet. Në disa njoftime më të reja pune, një institut kërkimesh shkencore kërkon një inxhinier mjedisi që nuk paguhet më shumë se 17 mijë denarë, po aq sa një tjetër kompani ndërtimi i ofron një arkitekti. Po ashtu, paga që një Shtëpie për kujdesin e të moshuarve i ofron kujdestarëve pagë 10.100 denarë, ndërsa e një programuesi është vetëm 21 mijë denarë. Megjithatë, ka edhe përjashtime sa i takon kompanive të huaja. Të paktën për disa prej tyre.
Pagat që ato ofrojnë variojnë nga 18 mijë e deri në 78 mijë denarë. Nga Agjencia e Punësimit nuk kanë dhënë përgjigje nëse për punëdhënësit vendosen kritere për kushtet që ato ofrojnë, apo kompanitë janë të lira që të përfitojnë nga numri i madh i të papunëve, duke e lënë të hapur pyetjen se për çfarë shërben në fund të fundit Agjencia, në rast se duhet të jetë ndërmjetësues për një kontratë të ndershme mes atij që jep dhe merr punë.
Shqipja as nën “under construction”
Agjencia e Punësimit renditet në një prej institucioneve që në asnjë lloj forme nuk e aplikon versionin e prezantimit në shqip të informacioneve në faqen e saj elektronike. Nëse në një pjesë prej tyre edhe kur mungon logoja “sq”, që nënkupton se versionin në gjuhën shqipe, do të jetë së shpejti në dispozicion të përdoruesve, apo edhe në rastet kur një pjesë e informacioneve, njoftimeve, apo shpalljeve janë të publikuara edhe në gjuhën shqipe, në faqen elektronike të APRM ende nuk ka asnjë premisë të ngjashme se gjuha shqipe do të jetë në shërbim të të gjithë atyre që përfitojnë ose ofrojnë shërbimet e tyre në këtë faqe./Telegrafi/