Site icon Telegrafi

Maqedoni: Dënim me nga 2.000 euro për dy shkupjanë, nuk respektuan rregullat gjatë pandemisë

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, Maqedonia e Veriut/ Foto: Telegrafi

Kundër dy personave, Prokuroria themelore publike Shkup sot parashtroi propozime për dënime për shkak të veprave të kryera penale – mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë, informojnë nga Prokuroria publike.

“I akuzuari i parë, më 18 mars, në vendkalimin kufitar Deve Bair, duke u kthyer nga Bullgaria, ka nënshkruar deklaratë se do të vetëizolohet në kohëzgjatje prej 14 ditëve në shtëpinë e tij në Krushopek. Por, nuk ka vepruar sipas rregullave dhe urdhrave të Qeverisë me të cilat caktohen masa për asgjësim apo parandalim të sëmundjes infektuese KOVID-19. Më 19 mars, gjatë kontrollit policor, 42-vjeçari i akuzuar nuk është hasur në shtëpinë e tij”, thonë nga Prokuroria penale.

Njëherit, nga atje informojnë se i akuzuari i dytë, ndërkaq, më 24 mars në orën 23:50 nuk e ka respektuar Vendimin pë ndalesë dhe regjim të posaçëm të lëvizjes në territorin e RMV-së, të sjellë me qëllim të parandalimit të koronavirusit.

“Me automjetin ‘Folksvagen golf’ ka lëvizur nëpër rrugën lokale nga Kondova drejt Sarajit. Gjatë tentimit për t’u kontrolluar nga ana e nëpunësve policorë, i akuzuari 29-vjeçar, nuk ka ndaluar dhe ka vazhduar të lëvizë”, sqarojnë nga Prokuroria.

Prokurori kompetent publik i ka propozuar Gjykatës themelore penale Shkup t’u shqiptojë dënime në të holla nga 100 gjoba ditore, me ç’rast vlera e një gjobe ditore të caktohet në 20 euro në kundërvlerë të denarit.

Exit mobile version