Kontesti i emrit pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Maqedoni dhe suksesit që arriti koalicioni qeveritar, përsëri kthehet në fokusin e diplomacisë ndërkombëtare, e ndjekur nga një optimizëm i madh dhe pritje për zgjidhjen përfundimtare, ndërsa takimi i parë për negociatat ndërmjet dy palëve pritet deri në fund të këtij muaji. Këtë me deklaratat e tyre e vërtetuan kryeministri Zaev, krerët e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Dimitrov dhe Kotzias si dhe paralajmërimet optimiste të zëvendës-ndihmës sekretarit shtetëror të SHBA-ve, Hoyt Yee.
Kryeministri Zaev dje tha se Maqedonia duhet të jetë e gatshme për të bërë hap para në çështjen e emrit, duke vlerësuar se tani ka mundësi më të larta për arritjen e zgjidhjes me Greqinë.
“Me Greqinë tani kemi mundësi më të larta për zgjidhjen e çështjes së emrit. Pres që dei në fund të muajit do të ketë lëvizje, së paku ndërmjet negociatorëve dhe Nimetz. Qëndroj në disponim në rolin e kryeministrit, i gatshëm është ministri i punëve të jashtme, jemi duke biseduar edhe me kryetarin e shtetit. Në këtë drejtim Maqedonia duhet të jetë e gatshme për të bërë hap para në këtë drejtim”, tha Zaev.
Kreu i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, javën e kaluar tha se çështja e emrit duhet të zgjidhet gjatë gjysmës së parë të vitit 2018, në të kundërtën do ë ketë komplikime tjera.
Përfaqësuesi i lartë i Stejt departamentit, Hoyt Brian Yee doli me qëndrim se çështja e emrit është në nivelin më të lartë deri më tani dhe janë më afër zgjidhjes.
Duke komentuar këtë deklaratë të Yee, ministri i punëve të jashtme Dimitrov theksoi se ekziston përpjekje për krijim të atmosferës pozitive, që sipas tij, ka të bëjë me përvojën për atë se çka mund të ndodhë nëse një shtet mbahet për një kohë shumë të gjatë në pritje për BE./Telegrafi/