Telegrafi

Maqedoni, anulohet seanca e sotme parlamentare

Vazhdimi i seancës së katërt të 114-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që duhej të mbahej sot është shtyrë për të hënën.

Në këtë seancë duhej të debatohej për propozim-ligjet e plotësuara për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për sigurim të obliguar në komunikacion, për aviacion civil, propozim-ligjin e plotësuar për Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve në lexim të dytë.

Në rendin e ditës së seancës janë edhe Propozim – ligji për ndryshimin e ligjit për themelimin e universitetit shtetëror “Goce Dellçev” në Shtip, propozim-ligjet për ndryshimin e ligjeve për themelimin e Fakultetit teknologjik-teknik, për tatimin e fitimit, për zbatimin e sanksioneve, të gjitha me procedurë të shkurtuar, si edhe propozim – ligjet për informacione të klasifikuara, për sigurimin material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronë dominuese të shtetit në lexim të parë.

Deputetët do t’i shqyrtojnë edhe raportin e posaçëm të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit për gjendjet e përcaktuara në financimin e fushatës zgjedhore – Zgjedhjet presidenciale dhe Zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e Komunës së Ohrit, kryetarin e komunës së Novosellës dhe kryetarin e komunës së Dibrës 2019 dhe propozim – vendimin për themelimin e Komisionit anketues për përcaktimin e shkeljes së ligjeve dhe keqpërdorimeve në punën e Prokurorisë Publike për ndjekjen e veprave penale të cilat lidhen dhe të cilat dalin prej përmbajtjes së ndjekjes së paligjshme të komunikimeve, shtruar prej një grupi të deputetëve.

Është anuluar edhe seanca e caktuar për sot e Komisionit Ligjvënës-juridik.