Telegrafi

Maqedoni, Agjencia Teknike Operative nuk do të ketë zëvendësdrejtor

Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri në Kuvend pranoi amendamentet e propozuara nga deputetët e LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së për shfuqizimin e postit të zv.drejtorit në propozim-ligjin për Agjencinë Teknike Operative.

Kjo nënkupton se Agjencia që pritet të formohet dhe qe do të jetë kompetente për ndjekjen e telekomunikimeve, do të udhëhiqet vetëm nga drejtori i cili parashihet të zgjidhet me 2/3 e votave në Kuvend dhe me Badenter.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski sqaroi se vendimi erdhi në koordinim me grupet punuese për ligjet reformuese me qëllim që institucioni të mos politizohet dhe të mos bëhen emërime në baza partiake.

Deputetët shqiptarë në komision shprehën pakënaqësinë e tyre për mos-përfshirjen në konsultime për ndryshimet në propozim ligjin për ndjekjen e komunikimeve dhe formimit të ATO-së. Këto mos-marrëveshje ishin arsye edhe për anulimin e seancës paraprake në këtë komision ku kishte mungesë kuorumi.

Posti i zv.drejtorit për këtë organ kohë më parë në Qeveri u propozua nga BDI-ja me qëllim të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve. Megjithatë edhe në raportet e ndërkombëtarëve ishte propozuar që Agjencia të mos ketë zv.drejtor.