Site icon Telegrafi

Maqedoni, 900 punonjës të DAP-it do të marrin pagë me 30 përqind rritje

Shtrënguan duart edhe formalisht para mediave punëdhënësja dhe sindikalisti. Marrëveshja kolektive e brendshme që u arrit në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, mbi 900 punonjës pagën e korrikut do ta marrin me rritje prej 30% të pagës bruto. Pas paralajmërimeve për protesta dhe negociatave disa mujore u mor pëlqimi edhe nga Ministria e Financave, që kjo rritje e pagave do ti kushtoj buxhetit 270 mijë euro në muaj.

Për 6 muajt e këtij viti nuk do kenë nevojë të kërkojnë mjete shtesë nga buxheti i shtetit. Drejtoresha e DAP, Sanja Llukarevska tha se kjo rritje e pagave duhet të jetë motivim shtesë për rezultate më të mira, për shërbime më të shpejta ndaj taksapaguesve dhe për parandalimin e evazionit fiskal.

“Mund të them se si rrethanë lehtësuese nga kjo rritje e pagave prej 30% që u insistua periudhën e kaluar është se kemi mjete vetanake që hynë nga të ardhura të ndryshme si organ taksues. Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të DAP që u miratua para disa muajve, të gjithë nëpunësit shtetërorë, pas analizës sonë funksionale në pjesën e sistemimit dhe organizimit e kanë fituar statusin e nëpunësve tatimor dhe këtu do të nivelizohen pozicionet. Vetëm personeli teknik do të mbetet në kritere të tjera”, tha Sanja Llukarevska, drejtoreshë e DAP.

Ndërkaq, për tërë vitin 2024 kjo rritje pagash do të rëndojë me 3,2 milionë euro shtesë paranë publike, e cila do të mbulohet nga Buxheti i Shtetit. Kurse, regresin e pushimit vjetor, të njohur si K-15 u zotuan që do ta mbulojnë nga të hyrat vetanake. Kryetari i Organizatës Sindikale “Solidariteti” Vase Nedanoski, tha se kësaj ujdie i paraprinë bisedimet ndërmjet dy palëve me ndërmjetësues të posaçëm, rritja e cila u bë në bazë të Nenit 66 të Ligjit për Buxhete. Ai tha se kjo do të ulë edhe nivelin e korrupsionit tek DAP.

“Pagat e të punësuarëve në DAP nuk janë rritur 14 vite. Për gjithë atë periudhë ne kemi kryer punën në mënyrë profesionale, nuk kemi pezulluar aktivitet por ishim të disiplinuar. Por, kur kemi të drejtë ligjore që ato shtesa na takojnë, i kërkuam dhe i arritëm. Ky do të jetë motiv për të gjithë të punësuarit që të jenë edhe më të përkushtuar në punë dhe rritje të cilësisë së shërbimeve nga qytetarëve dhe sektorit biznesit”, tha Vase Nedanoski, kryetari i Organizatës Sindikale “Solidariteti”.

Mbi një mijë të punësuar sa ka e gjithë DAP do ti gëzohen sërish shtatorit pasi që me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive do të kenë rritje edhe për 10% të pagës, të punësuar në sektorin publik dhe K-15 prej 10 mijë denarëve në dhjetor. Duke u thirrur në këtë dispozitë, rritje prej 30% kanë kërkuar edhe të punësuarit në Drejtorinë e Doganave dhe Administrata Gjyqësore, të cilët paralajmëruan grevë të përgjithshme që nga 1 Shtatori. Jo zyrtarisht mësohet që edhe në Dogana janë afër marrëveshjes për 30% rritje, që pritet të formalizohet me pagat e gushtit.

Exit mobile version