Mbetet ende e hapur çështja se kur dhe ku do të fillojnë me punë 958 administratorët e punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, tha se deri më tani ka përfunduar vetëm faza e parë e procesit.
“Pas nënshkrimit të pëlqimit, tani rrjedhin faza të tjera të realizimit të këtij vendimi të Qeverisë së RM-së, me ç’rast institucioni kompetent, pra Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet në të cilat janë paraparë të sistematizohen të gjithë administratorët shtetërorë dhe pas nënshkrimit të kontratës do të finalizohet i tërë procesi”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Mbi 90% të administratorëve e kanë firmosur pëlqimin për sistematizim, tha Hoxha, por duke mos dhënë asnjë afat kohor se kur administratorët mund të nisin me punë. Sipas listës për sistematizim, 958 administratorë do të shpërndahen në 224 institucione të vendit. Por çfarë do të ndodhë në rast se institucioni përkatës nuk ka vende të lira?
Zëdhënësi Hoxha shtoi se ata që nuk kanë pranuar të nënshkruajnë, do të futen në listat për transferim të Ministrisë së Administratës për t’u punësuar më pas sipas kërkesave të institucioneve. Risistemimi i administratorëve që pranonin rrogë shtetërore por nuk punonin, sepse nuk u ishte siguruar një vend pune, filloi në fillim të 2018-tës, në kuadër të reformave të Administratës Publike. Punësimet e administratorëve janë bërë kryesisht në periudhën 2008-2015 përmes Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.