Site icon Telegrafi

Maqedoni: 8700 qytetarë e kanë dhuruar kthimin e TVSH-së për luftën ndaj Covid-19

8700 persona vendosën të heqin dorë nga paratë e kthimit të TVSH-së dhe të njëjtat t’i japin për luftën ndaj Covid-19, ndërsa 35.219 qytetarë do t’i mbajnë paratë nga skanimi i llogarive fiskale.

Sipas Drejtorisë për të Ardhura Publike, nga donacionet e qytetarëve të cilët kanë hequr dorë janë mbledhur 9.711.296 denarë ose afërsisht 160 mijë euro, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Qytetarët të cilët kanë dashur që paratë nga kthimi i TVSH-së për muajt janar, shkurt dhe mars t’i donojnë për luftë ndaj Covid-19, kanë klikuar në opsionin “Po i dhuroj paratë e kthyera nga TVSH”, ndërsa ata të cilët kanë dëshiruar t’i mbajnë paratë kanë zgjedhur “Jo faleminderit”. Për këtë kanë mundur të zgjedhin prej 25 prill deri dje.

Ndërsa qytetarët që fare nuk janë përgjigjur në aplikacion, do të llogaritet se nuk dëshirojnë t’i dhurojnë mjetet e tyre dhe paratë do t’u lëshohen nëpër llogaritë e tyre.

Siç informojnë nga DAP, në vazhdë janë përgatitjet për pagesën e mjeteve nga llogaritë e skanuara për tre muajt e parë të këtij viti, që pritet të bëhet në pjesën e parë të muajit maj./Telegrafi/

Exit mobile version