Ndër personat që kërkojnë punë më së shumti janë ata pa arsim – 41.884 persona, 28.043 persona janë me shkollim të mesëm, ndërsa punë kërkojnë edhe 12.054 persona me diplomë universitare. Shkalla papunësisë prej 22.6 për qind tregon se Maqedonia akoma ka shkallë të lartë të papunësisë edhe si rrjedhojë e mos-harmonizimit midis ofertës së sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës.
Në tregun e punës në Maqedoni nuk janë të papunë vetëm personat me arsim fillor, të mesëm apo me fakultet, por edhe ata me arsim të lartë të specializuar në ndonjë lëmi shkencore, shkruan gazeta KOHA.
Sipas evidencës së Agjencisë së Punësimit, në Maqedoni të papunë janë edhe 38 doktorë të shkencave dhe 863 magjistra. Krahas këtyre kuadrove të arsimuara, gjithsej janë të evidentuar 96.728 të papunë, të cilëve ju ofrohen afër 8000 vende të punës. Ndër personat që kërkojnë punë më së shumti janë ata pa arsim – 41.884 persona, 28.043 persona janë me shkollim të mesëm, ndërsa punë kërkojnë edhe 12.054 persona me diplomë universitare.
Shkalla e papunësisë prej 22.6 për qind udhëzon se Maqedonia akoma ka shkallë të lartë të papunësisë edhe si rrjedhojë e mosharmonizimit midis ofertës së sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës. “Përzgjedhja e arsimit është e drejtë individuale e çdo individi dhe gjatë sjelljes së vendimit se ku do të vazhdohet shkollimi – çdoherë duhet të merret parasysh edhe mundësia që të gjendet punë adekuate pas përfundimit të procesit të arsimit formal, gjegjësisht të merret parasysh nevoja reale për një profil të tillë arsimor në tregun e punës”, thonë nga Agjencia e Punësimit. Analizat e Agjencisë së Punësimit tregojnë se punëdhënësit ballafaqohen me vështirësi të caktuara për të plotësuar vendet e punës, apo nuk mund të gjejnë kuadro me arsim adekuat për shkak të mungesës së përvojës së punës, mospasjes së njohurive dhe shkathtësive për realizimin e detyrave të punës që kërkon në një vend pune.
Vlerësohet se ndryshimet e reja tekniko-teknologjike dhe zhvillimi dinamik i tregut të punës, krijojnë vende të punës për të cilat nevojiten njohuri dhe shkathtësi të reja që jo çdoherë mund të fitohen në procesin e arsimit formal. Andaj, rekomandohet lidhja dhe ndërthurja më e madhe e procesit të arsimit formal dhe joformal me qëllim të kënaqjes së nevojave të tregut të punës. Problem tjetër i tregut të punës në Maqedoni është edhe mungesa e harmonizimit midis kualifikimeve dhe profileve arsimore që ofrohen dhe ato që kërkohen në tregun e punës. Në Maqedoni mungojnë studimet afatgjate për nevojën e zanateve në tregun e punës. Anketa e Agjencisë së Punësimit për kërkesat e shkathtësive në tregun e Maqedonisë siguron tregues afatshkurtër të dobishëm për pritjet e punëdhënësve në lidhje me punësimet e reja dhe nevojat për shkathtësitë, me të cilat duhet të disponojnë personat që të jenë konkurrues në tregun e punës.
Sipas përfaqësuesve të sektorit të biznesit, studimet në tregun e punës për nevojën e profesioneve të ndryshme nuk janë të plota dhe u mungon qasja afatgjate e planifikimit. Analiza e nevojës së tregut të punës për zanatlinj në industri apo biznesin e vogël, apo në vendbanimet më të mëdha dhe më të vogla, duhet të bazohet në radhë të parë në investimet kapitale që i planifikon shteti në infrastrukturë si ndërtimi i rrugëve, hekurudhës, energjetikës e kështu me radhë. Në këtë drejtim duhet të dihet se si do të rrjedhin investimet që të mund të planifikohet nevoja për profilin e kërkuar në tregun e punës.
Gjithashtu, duhet të dihen edhe planet investuese të sektorit privat vendor dhe të huaj që të mund të planifikohen nevojat e profileve së punëtorëve që mungojnë në shtet vlerësojnë punëdhënësit. Problem tjetër është se në raport me vitin 1991, raporton KOHA, 24 vite më vonë është trefishuar numri i studentëve, ku me 75 për qind dominojnë maturantët të regjistruar në shkencat shoqërore në raport me 25 për qind të maturantëve të regjistruar në shkencat natyrore. Ekspertët vlerësojnë se papunësia mund të zbutet me anë të përgatitjes të kuadrove që kërkohen në tregun e punës – në sistemin formal të arsimit të mesëm dhe të lartë e që duhet të reformohet, programeve për fitimin e kualifikimeve dhe shkathtësive në bazë të kërkesë në tregun e punës , nxitjen e mësimit gjatë gjithë jetës e kështu me radhë.
Sipas ekonomistëve, një nga zgjidhjet e papunësisë në Maqedoni është rikualifikimi i të papunëve përmes hapjes së shkollave universale për kualifikim profesional në qytetet mbarë vendit e që për shpejt kohë do të mundësojnë rikualifikimin e të papunëve. Në këto shkolla, mësimi do të zhvillohej për 3, 6 apo 12 muaj për kualifikimet që kërkohen në tregun e punës. Nevojitet të definohen edhe grupet e prekshme që janë të papunë në mënyrë afatgjate, si dhe ato që rrezikohen të humbin punën në bazë të përkatësisë gjinore, moshës, etnisë dhe përkatësisë fetare, si dhe personat me aftësi të kufizuara që të definohen masa më efikase për uljen e problemeve që i prekin ato shtojnë njohësit e tregut të punës.