Rritje enorme e numrit të përdoruesve të kredive të shpejta në vendin tonë. Nëse në vitin 2018 ishin vetëm 101,949 kredi të aprovuara, në vitin 2022 numri total i kredive të aprovuara është rritur për 178%, duke shkuar kështu në 284,076 kredi të aprovuara, tregon analiza e Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike. Drejtori i saj Omer Ajdini tregon se gjatë pandemisë ka pasur ulje për 18%, sepse deri te kreditë e shpejta qytetarët nuk i çon vetëm ekonomia e dobët, por edhe lojërat e fatit, pasi siç shtoi, në atë kohë nuk kanë mundur të luajnë bixhoz.
“Nga viti 2020 deri në vitin 2021 kemi një rritje relativisht të lartë sepse njerëzit kanë pasur mundësi të dalin ndoshta të dalin ose të luajnë nëpër bastore ose kazino e kështu me radhë, dhe të kenë qasje te kreditë e shpejta. Pra duket edhe pse nuk është 100% e faktuar që ka një lidhje pozitive në mes industrisë së lojërave të fatit dhe industrisë së kredive të shpejta”, tha Omer Ajdini, drejtor i “IDEA”.
Për parandalimin e kredive të shpejta Omer Ajdini sugjeron institucionet të ndërmarrin hapa për zbutjen e krizës ekonomike si dhe industria e bixhozit të rregullohet që qytetarët të mos jenë të ekspozuar.
“Të kufizohen në maksimum edhe një herë sa shuma ose “rate” e kamatës normale që është në shtet, kjo është e para. E dyta të vendosen shumë më shumë kontrolle në shoqëritë financiare, pra të dihen kush janë pronarët, të dihet nga ku vjen kapitali i këtyre shoqërive financiare sepse mbi 130 milionë euro kredi, janë tregues i një industrie dhe njerëzve goxha të fuqishëm që qëndrojnë pas këtyre shoqërive financiare”, shtoi Ajdini.
Përndryshe sipas institutit IDEA rritja e numrit të marrjes së kredive të shpejta gjatë 6 muajve të fundit është për shkak shpenzimeve dimërore për ngrohje dhe ushqim.