Disa gjykata themelore mund të vënë drynin. Rezultatet e Regjistrimit të popullsisë e mbajnë pezull dilemën për mbylljen ose jo të disa gjykatave që gjenden në komuna ku numri i popullsisë është më i ulët sesa 20 mijë banorë. Nga tabela e publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave vërehet se më pak se 20 mijë banorë kanë një numër i madh komunash në të cilat ka gjykata themelore.
Bëhet fjalë për komuna që gjenden në pjesën lindore të vendit, por edhe Dibra që numëron me 15 mijë banorë, krahas komunave të tjera si Berova (mbi 11 mijë banorë), Vinica (më pak më shumë se 14 mijë banorë), Krusheva (me 8 mijë banorë), Shën Nikolla (me 15 mijë), Kriva Pallanka (me 18 mijë), Kratova (me 7 mijë banorë), Dellçeva (me 13 mijë), Resnja (me 14 mijë) dhe Negotina (me pak më pak se 20 mijë banorë). Janë pikërisht këto reduktime drastike të numrit të popullsisë që, sipas kryetares së Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, ngrenë pyetjen për strukturën e gjykatave sipas vendbanimeve, si dhe nëse është e nevojshme të ketë gjykatë themelore në një vend që tani ka më pak se 20 mijë banorë, ose të jenë nën juridiksionin e një gjykate nga një komunë më e madhe dhe më e afërt.
“Kjo ngre pyetjen nëse një gjykatës i bazuar në një vendbanim me një popullsi prej më pak se 20.000 ka një ekzistencë të justifikuar. Ekziston gjithashtu nevoja nëse ato gjykata me juridiksion themelor duhet të jenë brenda një gjykate që është afër atij vendbanimi me juridiksion të zgjeruar. Pastaj shtrohet pyetja nëse territori që aktualisht mbulojnë katër Gjykatat e Apelit sipas popullsisë, infrastrukturës, migrimit në ndërkohë, korrespondon me rezultatet aktuale të regjistrimit”, tha Cërvenkovska.
Këshilli Gjyqësor ka zhvilluar një Strategji për rrjetin gjyqësor në Maqedoni në bazë të të dhënave nga Regjistrimi i popullsisë i bërë para 20 viteve dhe se tani, me regjistrimin e fundit, bëhet e qartë se duhet të bëhen korrigjime të caktuara dhe një analizë e re, bazuar nga përvojat e Bashkimit Evropian. Këshilli gjyqësor bazohet tek Komisioni Evropian për Efiçencën e Drejtësisë që saktëson se për 100 mijë banorë duhet të ketë 21.5 gjykatës, duke marrë parasysh shpërndarjen territoriale të gjykatave, cili është rrjeti gjyqësor, numri i popullsisë, numri i gjyqtarëve për frymë në çdo gjykatë.
“Është fakt që rezultatet e Regjistrimit aktual duhet të ndikojnë në ndryshimin e asaj Strategjie për Rrjetin Gjyqësor të Burimeve Njerëzore. Është shumë e rëndësishme të përcaktohet struktura e saktë e gjykatave që i nevojiten popullatës në nivel shtetëror”, shton kryetarja Cërvrnkovska. Këshilli gjyqësor pritet që në zhvillimin e kësaj Strategjie – të kërkojë sërish ndihmën e Komisionit Evropian bazuar në treguesit dhe koeficientët që janë dhënë nga regjistrimi i fundit. Rezultatet e regjistrimit, veçanërisht në lindje, treguan se numri i banorëve në Maqedoni është në rënie dhe se disa komuna, nga një pjesë e vendit, tani kanë një numër drastikisht më të vogël të banorëve. (koha.mk)