Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se fillimi i procesit gjyqësor kundër grupit terrorist paramilitar serb, që tentoi një aneksim të pjesshëm të territorit të Kosovës në Banjskë vitin e kaluar, është i mirëpritur dhe pozitiv.
Ministri tha se ky proces do të jetë i plotë vetëm atëherë kur në bankën e të akuzuarve do të jenë të gjithë të implikuarit e veçanërisht drejtuesi kryesor i operacionit paramilitar dhe terrorist Milan Radoiçiq.
“Pa vendosjen e tyre në bankën e të akuzuarve nuk nënkuptohet përfundim i suksesshëm i procesit”, tha Maqedonci në emisionin “Info Plus” në RTK.
Sipas tij për këtë është e rëndësishme rritja e presionit ndërkombëtar mbi Serbinë për të dorëzuar terroristët në Kosovë, ku ekstradimi i tyre do të behej sipas rregullave ndërkombëtare, e që deri me tani nuk është parë fare vullnet nga strukturat e Serbisë për të dorëzuar por edhe për t’u distancuar nga vetë veprimi i këtij grupi terrorist.
Ai tha se shqetësuese është vazhdimi i strehimit të tyre nga Serbia brenda territorit të saj dhe vazhdon përkrahjen e tyre ashtu siç e ka përkrahur edhe gjatë sulmit të 24 shtatorit 2023.