Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka reaguar pas raportimeve se ky dikaster e ka humbur betejën gjyqësore me Komunën e Prishtinës, duke pretenduar se kryesues i Kuvendit Komunal të kryeqytetit është Fehmi Kupina e jo Pëllumb Bajqinovci.
MAPL përmes një reagimi thotë se aktvendimi i gjykatës në fjalë ka të bëjë vetëm më masën e sigurisë për ndalimin e zbatimit të vendimeve të nxjerra nga mbledhja e 27 qershorit,dhe jo për çështjen kryesore të kontestuar më padi nga MAPL.
Andaj sipas MAPL-së, ende nuk mund të konstatohet se vendimet e kësaj mbledhjeje kanë qenë të ligjshme.
“Siç është përcaktuar edhe në Aktvendimin e Gjykatës, ky Aktvendim nuk paragjykon epilogun përfundimtar të këtij Konflikti Administrativ, prandaj nuk mund të konstatohet se kemi ligjshmëri të mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Prishtinës, të datës 27.06.2023, si dhe të vendimeve të nxjerra nga kjo mbledhje, deri sa nuk kemi Vendim përfundimtar nga gjykata kompetente”, thuhet në komunikatë.