Pas shtyrjes së ndeshjes së javës së tretë me Dritën, Prishtina nesër (e mërkurë) zhvillon duelin e javës së 4-të, ku takohet në “Riza Lushta” me Trepçën ’89.
Sulmuesi anësor i Prishtinës, Gauthier Mankenda, që është edhe shënuesi më i mirë në skuadër nga lojtarët aktual me 29 gola, ka thënë që skuadra është e përqendruar që të jap maksimumin për të arritur objektivin, që është fitorja.
“Ndeshja e nesërme nuk do të jetë e lehtë, skuadra vendase në fushën e vet është maksimalisht e motivuar kundër ndesh. Por, kjo neve aspak nuk do të na pengoj apo të na ndal të arrijmë qëllimin tonë. Jemi të përqendruar të japim maksimumin për të arritur objektivin”.
“E vërtet që jam golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe po më mundon që megjithëse po luaj nuk po shënoj, por jam duke punuar shumë që të vijnë golat. E di që përmes ndihmës së bashklojtarëve dhe trajnerëve do t’ia arrijë qëllimit. Megjithatë objektivi i ekipit mbetët parësore dhe gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Mankenda për faqen e klubit.
Prishtina në këtë ndeshje nuk ka mungesa nga skuadra startuese dhe pritet të udhëtojë e kompletuar. /Telegrafi/