Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të anëtarit të Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha. Ky i fundit u arrestua mbrëmjen e djeshme.
“Një orë e më parë jo ta pezullojmë, por ta shkarkojmë këtë gjyqtar, si akt që cenon rendë autoritetin tuaj”, tha ministri Gjatë analizës vjetore të Gjykatës Administrative.
Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë kërkoi nga ana e qytetarëve që të bëjnë çdo denoncim për korrupsion në zyrën e prokurorit.
“Është radha e kolegëve tuaj që të distancohen në emrin e vet dhe emrin tuaj nga kjo ngjarje tepër e rëndë. Nxis çdo qytetar të republikës që të mos denoncojë vend e pa vend, por në zyrën e prokurorit që raste të tilla të jenë sa më të suksesshëm që të jetë e mundur”, theksoi Manjani.
Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që të ketë një reagim publik në fenomenin e korrupsionit në gjykata, duke u shprehur se “shqiptarët sot duan reagim, jo më llafe”.
Sipas tij, kjo është një ngjarje që ndodh për ditë. “Duhet ta ndryshojmë këtë kulturë me një reagim proporcional publik”, përfundoi ministri.
Ndërkohë, Ibrahim Hoxha u arrestua mbrëmjen e së hënës bashkë me djalin e tij në kushtet e flagrancës pasi ishin duke marrë 6 milionë lekë për një çështje pronësie që anëtari i Gjykatës së Tiranës kishte në dorë. /Telegrafi/